Reja shpjegon humbjet: Lojtarët ishin të stërlodhur dhe nervozë. Tentojmë fitoren në dy ndeshjet e radhës

16/08/2022 15:47

Koha konsiderohet si ilaçi më i mirë i të problemeve, megjithatë janë disa gjëra që lënë gjurmë dhe që kërkojnë jo vetëm analizë por edhe përgjigje.

E tillë është edhe situata e përfaqësueses sonë, e cila zhgënjeu jo pak me rezultatet e fundit në miqësore, si barazimi 0-0 me Estoninë, por edhe në ndeshjet zyrtare të Ligës së Kombeve, ku barazuam me Islandën dhe u mundëm nga Izraeli.

Tani që kanë kaluar muaj nga ato ndeshje dhe rreth një muaj përpara sprintit final, Edi Reja tregon për Top Channel se çfarë analize ka bërë për ato paraqitje.

“Kam analizuar edhe një herë atë që ndodhi në ndeshjet e fundit dhe kam kuptuar që ndodh e njëjta gjë. Lojtarët që vijnë në muajin qershor janë të lodhur e stërlodhur dhe për këtë arsye janë edhe nervoz. Nëse do të kthehesha mbrapa nuk do të bëja një grumbullim aq të gjatë, do t’i thërrisja vetëm një javë përpara ndeshjes”.

Ndërkohë në merkaton e verës ka bërë zhurmë kalimi i Asllanit nga Empoli tek Interi por edhe rikthimi i Brojës tek Chelsea, për momentin.

“Më vjen shumë mirë kryesisht për Asllanin që shkoi në një skuadër të madhe si Interi, pro tani uroj që të luaj. Sa i përket Brojës, për të është kënaqësi e madhe që kthehet tek Chelsea por duhet të gjejë edhe hapësira për të luajtur. Ai është lojtarë që ka të dhëna shumë të mira, por nuk është akoma gati, pasi duhet që të aktivizohet 3-4 ndeshje radhazi që të japë rezultate”.

Nga grupi i lojtarëve që trajneri grumbullon shumica e tyre janë me 0 minuta edhe pse kampionatet e tyre kanë filluar.

“Bare është rikuperuar por nuk luajti dot asnjë minut, e njëjta gjë edhe për Laçin, Strakosha nuk luajti, por janë shumë që nuk luajtën, Manaj po ashtu. Sigurisht që kjo nuk është diçka thelbësore për momentin, pasi deri në shtator do të kenë mundësi të tjera, por një lloj problemi është krijuar. Megjithatë shpresojmë të gjejnë disa minuta që të jenë në formë optimal, le të jemi pak optimist”, u shpreh trajneri”.

Sa i përket ndeshjeve që na presin, kemi ende shanse për vendin e parë, apo keni tjetër mendim?

“Unë nuk kam frikë asnjërën nga dy skuadrat që do të luajmë, ne nëse jemi në formë të mirë mund të jemi kompetitiv me të dy kundërshtarët. Gjithsesi ne duhet të shkojmë atje dhe të tentojmë fitoren se skemi alternativë tjetër për objektivin që kemi. Por nëse nuk fitojmë të shohim që të qëndrojmë në vendin e dytë të paktën, që është gjithashtu një pozicion i mirë”.

Këto dy ndeshje janë edhe dy ndeshjet e fundit tuajat, pasi kontrata aktuale mbaron pas tyre, në muajin tetor?

“Unë nuk mendoj asnjëherë të ardhmen, jetoj të tashmen, me presidentin jemi në sintoni edhe me ambientin besoj pavarësisht disa kritikave që kanë ardhur kohët e fundit nga ambient I gazetarëve, por kjo ndodh gjithmonë. Për mendimin tim kemi bërë punë të mirë deri tani, por analizën e bën federate. Në grupin tonë për fat nuk zbret askush më poshtë, do të mbetemi në Ligën B, nëse dalim të parët e kalojmë në Ligën A, do të jemi edhe më të kënaqur, por gjithsesi, pavarësisht të gjithave edhe nëse do ta mbyll, për mua ka qenë një eksperiencë shumë e  bukur dhe një motiv krenari që kam drejtuar Shqipërinë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA