Eldi Dizdari, i njohur edhe si Denis Matoshi, është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Belgjikës, ku është transferuar menjëherë në një burg belg. Dizdari është dënuar me 10 vite burg nga drejtësia belge për rolin e tij në trafikun e drogës.
Lajmi është konfirmuar nga ministrja belge e Drejtësisë, Annelies Verlinden, e cila e ka cilësuar ekstradimin si një tjetër shembull të bashkëpunimit mes Belgjikës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në luftën kundër krimit të organizuar.
“Së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe, ne po tregojmë se nuk ka strehë të sigurta për kriminelët e drogës”, deklaroi Verlinden në një postim në rrjetet sociale.
Dizdari, 37 vjeç, njihet gjithashtu me emrat Denis Matoshi.
Gjykata e Anversës e ka dënuar me 10 vite burg për rolin e tij në veprimtarinë e trafikut të drogës. Pas ekstradimit nga Dubai, ai pritet të vuajë dënimin në Belgjikë.
Sipas autoriteteve shqiptare dhe hetimeve të zhvilluara nga SPAK, grupi kriminal me të cilin dyshohet se ishte i lidhur Dizdari, ku përmendet edhe Dritan Gjika, dyshohet se ka transportuar të paktën 50 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Denis Matoshi u largua nga Emiratet e Bashkuara Arabe të mërkurën me një avion dhe disa orë më vonë mbërriti në aeroportin ushtarak të Melsbroek në Belgjikë.
Kush është Eldi Dizdari?
Eldi Dizdari është i përfshirë në vrasjen e 4 tetorit në ish-Bllok në vitin 2018-ën dhe është një nga të arrestuarit e operacionit të madh antidrogë të zhvilluar në Itali.
Ai më pas është kapur në Dubai në vitin 2020 me bashkëpunimin e Policive të disa shteteve europiane.
Dizdari është shpallur në kërkim që prej tetorit 2018, pas ngjarjes së ndodhur në ish-Bllok, ku u plagosën disa persona dhe mbeti i vdekur Fabiol Gaxha, teksa dyshohet se është edhe personi që ka porositur 613 kg kokainë, të kapur në konteinerët me banane të Arbër Çekajt në Portin e Durrësit.
Dizdari njihet për rolin e tij në trafikun e kokainës.Mësohet se një kartel shqiptar i trafikut ndërkombëtar të drogës u shkatërrua në Firence të Italisë dhe një prej bashkëpuntorëve ishte edhe Eldi Dizdari, që fshihej në Dubai pasi ishte në kërkim nga shteti shqiptar.
Top Channel