Republikani Scott Perry, një aleat kryesor i ish-presidentit Donald Trump tha se agjentët e FBI-së sekuestruan telefonin e tij, vetëm një ditë pasi agjentët kontrolluan pronën e Trump në Florida.
“Këtë mëngjes, ndërsa udhëtoja me familjen time, 3 agjentë të FBI-s më morën celularin”, tha republikani i Pensilvanisë në një deklaratë përmes zyrës së tij.
“Ata nuk bënë asnjë përpjekje për të kontaktuar avokatin tim, i cili do të kishte marrë masa që ata të merrnin telefonin nëse kjo ishte dëshira e tyre.”
Sipas medias së huaj, avokati i Perryt, John Rowley, i cili është gjithashtu anëtar i ekipit ligjor të Trumpit nuk iu përgjigj kërkesës për të komentuar situatën.
FBI-ja dhe Zyra e Prokurorit të SHBA në Uashington gjithashtu nuk pranuan të komentojnë.
Deklarata e Perry-t nuk thoshte se çfarë donte FBI-ja nga telefoni i tij, por ai ka qenë një figurë kryesore në përpjekjet e Trumpit për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020, ku fitues doli presidenti aktual Joe Biden.
Perry, një aleat kyç në atë përpjekje, i tha Trumpit të zëvendësonte drejtuesit e Departamentit të Drejtësisë dhe të vendoste në krye të departamentit një zyrtar pak të njohur, Jeffrey Clark.
Paneli i përzgjedhur i 6 janarit thirri Perry -n në maj, por ai nuk shkoi.
Interesi i Departamentit të Drejtësisë për Perry-n mund të lidhet me sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol, por mund të lidhet edhe me kontrollin e shtëpisë së Trump në Florida.
Komiteti i 6 janarit zbuloi në prill se Perry dhe shefi i fundit i shtabit të Trump, Mark Meadows, komunikuan nga aplikacioni i koduar i mesazheve Signal për çështjet që lidhen me zgjedhjet e vitit 2020 dhe është e paqartë nëse njëri prej tyre i mbajti ato mesazhe.
Në mënyrë të ngjashme, komiteti i përzgjedhur mori dëshmi se Meadows dogji disa letra pas takimit në Shtëpinë e Bardhë me Perry-n.
Meadows ishte një prej themeluesve të grupit pro-Trump Freedom Caucus, kryetar i të cilit tani është Perry.
Kujtojmë se autoritetet sekuestruan telefonin e senatorit Richard Burr (RN.C.) në vitin 2020 si pjesë e një hetimi mbi aksionet, megjithëse Departamenti i Drejtësisë më vonë përfundoi hetimin pa asnjë akuzë kundër tij.
Por Burr gjithsesi dha dorëheqjen nga kryesimi i Komisionit të Inteligjencës së Senatit në mes të polemikave dhe njoftoi se nuk do të merrte pjesë në rizgjedhje.
Top Channel