Meteorologët në Britani përballen me akuza ‘gënjeshtrash e përhapje paniku’ nga publiku mes valës së të nxehtit (fotot)

29/07/2022 15:40

Parashikuesit e motit në Britani janë bërë së fundmi objekt talljesh të paprecedenta teksa përdoruesit e mediave sociale vërshojnë me akuza përhapje paniku e histerie, gjatë valës së të nxehtit të paprecedentë britanik, shkruan e përditshmja Daily Mail.

Parashikuesit e rrjetit BBC thonin se mijëra komente në rrjetet sociale hidhnin dyshime mbi të dhënat e tyre megjithëse vendi është përfshirë nga i nxehti që i afrohet 40 gradëve.

Talljet e përdoruesve godisnin më së shumti raportimet se vala e të nxehtit ka të bëjë me “ndryshimet klimatike” që sipas parashikuesve shkaktojnë zjarret në zonat pyjore.

Zyra britanike e meteorologjisë Met Office, thotë se ndryshimet klimatike kanë shumëfishuar mundësinë e zjarreve, edhe pse kjo nuk është shkaku i përcaktuar i katastrofave.

Meteorologu i BBC Matt Taylor tha se masa e abuzimeve online që kishte marrë këtë muaj ishte ‘depresionuese’.

Ai tha: “Është një ton më i rëndë abuziv nga sa kam parë më herët. Tani nuk i shikoj më pasi është shumë depresionuese të lexosh të gjitha përgjigjet”.

Profesoresha e zyrës britanike Liz Bentley tha se stafi ishte përballur me “tallje publike, akuza gënjeshtrash dhe se ‘po shantazhohen për parashikimet e tyre’”.

“Çuditërisht komentet abuzive shtohen kur në lajm bëhet lidhja me ndryshimet klimatike”, thotë ajo në komente, sipas Daily Mail.

Meteorologu Alex Deakin nxiste përdoruesit të tregonin “pak respekt” për kolegët e tij të lodhur.

Ai tha për BBC: “Është shumë ofenduese për kolegët e mi, të cilët studiojnë ndryshimet klimatike. Tregoni pak më shumë respekt dhe mos besoni Bob-in te bari i zonës, apo Tony-n në videot e YouTube.”

Disa nga përdoruesit në Twitter shkruanin sulme personale, urrejtjeje ndaj meteorologëve të BBC.

Një prej tyre shkruante: “Kur do të kërkoni falje për këto absurditete që vetëm nxisin frikë e panik? Apo ndoshta duhet të largoheni të turpëruar?”

Të tjerë bënin interpretime konspiracioni të eventeve, duke supozuar se “vala e të nxehtit krijohet nga lëshimi i substancave me avionë që krijon kupolën për bllokimin e nxehtësisë së diellit, në mënyrë që qeveritë të justifikojnë axhendën e ndryshimeve klimatike”.

Shumë britnaikë refuzojnë se vala aktuale e të nxehtit është ndryshe nga i nxehti në Britani në vitin 1976.

BBC tha se pretendimet janë të rreme duke theksuar se temperatura më e lartë në 1976 ishte 35.9C, katër gradë më e ulët sesa 40.3C e arritur këtë muaj.

Siaps zyrës britanike meteorologjike nëntë nga 10 ditët më të nxehta në Britani kanë ndodhur pas viteve 1990.

FOTO GALERI
2/5
Mijëra komente në rrjetet sociale hidhnin dyshime mbi të dhënat e tyre megjithëse vendi është përfshirë nga i nxehti që i afrohet 40 gradëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA