Pyetja që mundon së fundmi familjet shqiptare është më mirë një diplomë apo një zanat?
Pas mbarimit të gjimnazit, prindërit ndikojnë te e ardhmja e fëmijëve të tyre. Për ta dilemat janë të shumta se cila ka më vlerë në shoqërinë e sotme: një universitet apo një talent? Cila prej tyre është më e mira dhe më afër tregut të punës?
“Ka një rritje të interesit për arsimin profesional kryesisht në fushat e elektrikes, teknologjisë apo hoteleri turizmit. Por që fryma e zanateve të vjetra tradicionale të trashëguara brez pas brezi po zbehet. Prindërit që kanë vetë zanat duan tiu japin më të mirën, atë që nuk kanë arritur vetë që për ta është arsimi i lartë. Ky është mentaliteti. Kjo ka bërë që tregu të ketë mungesë në zanatet si orëndreqës, këpucar…”, tha Erion Muça, ekspert për karrierën profesionale.
Lorenc Tanushi është një i ri i cili që në fëmijëri e shkroi të ardhmen. Jo shumë i dhënë pas mësimeve, por i apasionuar për makinat duke i zbërthyer ato, ndryshe nga pjesa më e madhe e shokëve të klasës ai nuk vazhdoi universitetin, por zgjodhi punën si mekanik.
“Unë jam rritur me xhaxhain i cili ishte mekanik. Kisha prirje edhe unë, ndaj nuk isha në dilemë për fakultetin. Ky është zanat që stë lë pa bukë, i kërkuar dhe goxha fitimprurës…”, tha Tanushi.
Këtë vit shkollor mbaruan arsimin e mesëm profesional 18 432 nxënës. Ky interes i shfaqur vit pas viti pas zanateve, ka sjell edhe rënien e numrit të studentëve në auditore.
Teksa përveç prirjeve, të rinjtë po studiojnë tregun e punës jo vetëm vendas, por edhe ndërkombëtar.
“Tendenca për të pasur një shkollë të lartë vijon ende, por jo si dikur. Degët që kanë qenë më parë të preferuara si shkencat politike, drejtësia apo mësuesia nuk janë më. Vëmendja është kthyer te nevojat e tregut sidomos post pandemia si është shtuar kërkesa për degët e mjekësisë, teknologjisë, psikologjisë”, tha Erion Muça, ekspert për karrierën profesionale.
Top Channel