“Pas shkolle” në 408 shkolla/ Detyra dhe klube deri në orën 15:00, ekspertët ngrenë pikëpyetje për kushtet

19/09/2026 12:31

Nxënësit në sistemin parauniversitar në 408 shkolla do të mund të ndjekin programin “Pas shkolle”, i cili organizohet jashtë orarit mësimor të detyruar. Aplikimet do të kryhen elektronikisht përmes regjistrit “SMIP” dhe janë të hapura deri më 25 shtator.

Programi do të kategorizohet sipas cikleve arsimore. Në ciklin fillor, fëmijët do të mund të bëjnë detyrat e shtëpisë nga e hëna në të premte, me nga një orë në ditë.

Gjithashtu, nxënësit mund të zgjedhin të marrin pjesë në dy klube të artit dhe zejeve, ndërsa do të kenë 30 minuta kohë për konsumimin e drekës që do të marrin me vete.

Ndërsa për nxënësit nga klasat e VI-ta deri në të IX-ta, si dhe në gjimnaze, programi “Pas shkolle” do të realizohet vetëm përmes klubeve, me synimin për të nxitur dhe zbuluar talentet e të rinjve.

Numri i nxënësve për një grup është minimumi 20 dhe maksimumi 30 nxënës. Ata kanë të drejtë të zgjedhin deri në dy klube nga pesë që ofrohen: klubi i muzikës, i teatrit, i artit pamor, i kërcimit dhe i zejeve.

Ekspertët: Infrastruktura e shkollave mund të pengojë zhvillimin e aktiviteteve

Për ekspertët, infrastruktura shkollore mund të pamundësojë zhvillimin me sukses të aktiviteteve të parashikuara në program.

Suela Kocibellinj shprehet se programi nuk do të jetë plotësisht i realizueshëm për shkak të mangësive në disa prej shkollave.

“Nuk do të jetë plotësisht e realizueshme. Ka mangësi në shkolla me kushtet në të cilat ndodhen. Për shembull, nxënësi ka talent në piano apo kitarë, ku do ta gjejë mësuesi instrumentin? Nuk zëvendëson kurset private për të lehtësuar prindërit”, shprehet ajo.

Shqetësim për prindërit mbetet edhe koha shtesë e qëndrimit të fëmijëve në ambientet mësimore, maksimumi deri në orën 15:00, e cila nuk përshtatet me orarin e tyre të punës.

Kalendari javor i Ministrisë së Arsimit jep disa variante, ku nxënësit mund të përcillen edhe në orën 14:00.

“Orari i punës shkon në 16:00 apo 17:00 dhe do të detyrohen të gjejnë zgjidhje sërish me qendra kurse private”, shprehet një prind.

Kush do të zhvillojë aktivitetet?

Trajnuesit e programit do të jenë mësuesit e shkollës, të cilët kanë përparësi, por thirrja është e hapur edhe për arsimtarë në pension apo të profileve artistike.

Në udhëzues lihet hapësirë që kjo strukturë të përshtatet nga shkolla sipas kushteve konkrete, numrit të nxënësve, hapësirave, materialeve dhe burimeve njerëzore që ka në dispozicion.

Top Channel