Invalidi dorëzon dosjen në KMCAP Tiranë ende nuk del në komision, i ndërpritet kempi prej një viti

26/07/2022 20:45

 

Lulzim Dibra, banor i qytetit të Shkodrës prej 26 vitesh, trajtohet me pension invaliditeti me shumën 105 mijë lekë të vjetra.

Në tetor të vitit 2021, Lulzimit i është ndërprerë pensioni, pasi sipas tij Zyra e Shërbimit Social Shkodër e ka lajmëruar se duhet të paraqitet pranë  KMCAP Tiranë. Lulzimi thotë se nuk është thirrur në asnjë moment nga asnjë institucion që prej muajit tetor të vitit 2021.

Lulzimi tregon se përpiqet të jetojë me ndihmën ekonomike për persona me aftësi të kufizuara që merr bashkëshortja e tij si person me probleme të shëndetit mendor, por shuma që ajo merr nuk mjafton për të mundësuar jetesën për 4 persona në familje, pasi ajo ka dhe mjekimet e veta.

Gazetarët e Fiks Fare iu drejtuan Zyrës së Shërbimit Social Shkodër, ku këta të fundit thanë se Lulzim Dibrës i është ndërprerë ndihma ekonomike si person me aftësi të kufizuara që datës 31/12/2021. Në muajin nëntor 2021, zyra e ndihmës ekonomike i ka dërguar dokumentacionin Shërbimit Social Shkodër, nga ku për shkak të masave anti Covid, Lulzimit i është bërë në vizitë online dhe mesa duket njëri prej mjekëve nuk ka qenë dakord dhe kanë vendosur që dosja e tij të shkojë në Kemp Epror në qytetin e Tiranës.

Edhe pse dosja ka kaluar e plotë që prej datës 20-10-2021 pranë Shërbimit Social Shtetëror Tiranë ende nuk ka ardhur një përgjigje për Lulzimin.

Pas interesimit të redaksisë së Fiks Fare pranë KMCAP Tiranë, nga ky institucion u tha se dosja e Lulzimit është planifikuar për komision gjatë muajit korrik. Por data e komisionit nuk është vendosur ende, në momentin e komisionimit Lulzimi do të njoftohet përmes njësisë ku banon.

Shkak i mos thirrjes së tij prej aq muajsh, sipas tyre ka qenë situata dhe masat anti Covid. Por, Lulzimi për të marrë ndihmën ekonomike si person me aftësi të kufizuara i duhet të presë edhe një muaj që të marrë të gjitha lekët njëherësh.

 

 

FOTO GALERI
1/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA