Digjitalizimi i shërbimeve për biznesin, QKB dhe InfoCamere bashkojnë ekspertizën shqiptare dhe italiane për zhvillimin e infrastrukturës teknologjike
Greqia dhe Shqipëria ishin ndër tregjet që spikatën më shumë këtë verë në sektorin e qirave afatshkurtra në Evropë, në një periudhë kur çmimet u rritën ndjeshëm, por kërkesa në shumë vende evropiane nisi të dobësohej.Sipas portalit ekonomik grek Newmoney.gr, i cili i referohet analizës së kompanisë së specializuar AirDNA, Greqia dhe Shqipëria ishin të vetmet mes 20 tregjeve më të mëdha të qirave afatshkurtra në Evropë që arritën të ruanin nivelin e zënies gjatë sezonit veror.
Në Greqi, çmimi mesatar ditor i një akomodimi u rrit me 11,8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe arriti në 195 euro për natë. Pavarësisht kësaj rritjeje, niveli i zënies mbeti pothuajse i pandryshuar, në 70,9%.Sipas AirDNA, ky është një tregues i fortë i rezistencës së tregut grek të qirave afatshkurtra, pasi pronarët dhe menaxherët e apartamenteve arritën të rrisin çmimet pa humbur klientë.
Kjo solli edhe një rritje të ndjeshme të të ardhurave. Treguesi i të ardhurave për akomodim të disponueshëm, i njohur si RevPAR, u rrit në Greqi me 11,9%, duke arritur në 138 euro, më shumë se dyfishi i rritjes mesatare evropiane prej 5,5%.Vetëm gjatë muajit gusht, kur sezoni turistik arriti kulmin, çmimi mesatar ditor në Greqi u rrit me 10,9%, duke arritur në 202 euro, ndërsa të ardhurat për akomodim të disponueshëm u rritën me 11%, në 152 euro.
Edhe në këtë muaj niveli i zënies mbeti pothuajse i pandryshuar krahasuar me vitin e kaluar.Në anën tjetër, numri i akomodimeve të disponueshme në Greqi u ul gjatë verës me 2,1%, duke zbritur në rreth 160.600 prona të listuara për qira afatshkurtra.Pamja ishte më e dobët në pjesën tjetër të Evropës. Sipas AirDNA, në verën e vitit 2026 numri i pronave të disponueshme në tregun evropian u rrit me 1,7%, duke arritur në 4,19 milionë, ndërsa numri i netëve të rezervuara ra me 2%, nga 178,5 milionë në 174,9 milionë.
Pavarësisht rënies së kërkesës, çmimet në Evropë vazhduan të rriteshin. Çmimi mesatar ditor u rrit me 7,8%, duke arritur në 157,16 euro, nga 145,84 euro një vit më parë. Ndërkohë, niveli mesatar i zënies ra nga 68,3% në 66,9%.Vetëm në gusht, çmimi mesatar ditor në Evropë arriti në 160 euro, ndërsa niveli i zënies ra në 70,4%. Megjithatë, çmimet më të larta kompensuan pjesërisht rënien e rezervimeve dhe të ardhurat për pronë të disponueshme u rritën me 4,3%.
Pikërisht në këtë kontekst, Shqipëria dhe Greqia dalluan nga pjesa tjetër e tregut evropian, pasi arritën të ruanin nivelin e zënies gjatë verës, ndërsa shumica e vendeve të tjera regjistruan rënie.Për Greqinë, megjithatë, sinjalet për vjeshtën janë më të kujdesshme. Rezervimet për periudhën shtator–dhjetor janë aktualisht rreth 0,6% më të ulëta se një vit më parë, ndërsa në Evropë shënohet një rritje mesatare prej 2,3%.
Analistët theksojnë se për nëntorin dhe dhjetorin është ende herët dhe situata mund të ndryshojë në javët e ardhshme.Të dhënat e AirDNA tregojnë se vera e vitit 2026 ishte një sezon me çmime dukshëm më të larta në Evropë, por jo domosdoshmërisht me më shumë turistë. Në këtë panoramë, Greqia dhe Shqipëria ishin përjashtimi, duke ruajtur kërkesën dhe nivelin e zënies në një treg gjithnjë e më konkurrues.
Top Channel