Nga arrestimi në nëntor 2020 te dënimi me 81 vite burg në total/ 6 vite odise në Hagë, gjykata “shfajësoi” UÇK-në: Faji, individual

16/09/2026 14:04

81 vite burg së bashku për katër ish krerët e UÇK-së që prisnin prej vitesh gjykimin në Hagë, bënë që kjo e sotmja të përshkruhej “si një ditë e zezë për Kosovën”.

Gati 6 vite nga arrestimi, Dhomat e Specializuara dhanë një vendim mjaft të rëndë të shkallës së parë, me Hashim Thacin dhe Jakup Krasniqin të dënuar me nga 25 vite burg, Kadri Veselin me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite heqje lirie.

Trupi gjykues i shpalli penalisht përgjegjës për ndalim arbitrar ose të paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, ndërsa rrëzoi akuzat për krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u arrestuan në fillim të nëntorit 2020 e u transferuan në Hagë për paraburgim.

Pak ditë më vonë, ata dalin për të parën herë përpara gjyqtarëve dhe deklarohen të pafajshëm, me shumë gjasë të pavetëdijshëm se ky do të ishte vetëm fillimi i një odiseje 6-vjeçare, që do të shkonte drejt një aktgjykimi tejet të rreptë për ta.

Trupi gjykues zgjodhi të mos përbaltej lufta e UÇK-së duke vendosur se përgjegjësia e katër të akuzuarve është individuale, por konstatoi se ata vepruan së bashku dhe arritën marrëveshje për një qëllim të përbashkët kriminal.

Pretendimi i gjykatësit Smith ishte se ata ngritën bashkërisht objekte ndalimi, u caktuan personave të tjerë role e pozicione për realizimin e këtij qëllimi dhe lëshuan komunikata përmes të cilave përhapnin qëndrimet dhe politikat e tyre.

Po kështu, përfundimi tjetër ishte se të akuzuarit siguruan pandëshkueshmëri të plotë për autorët e krimeve.

“Ndërmjet prillit të vitit 1998 dhe qershorit të vitit 1999, në 12 komuna të Kosovës dhe në një rreth në Shqipëri, pjesëtarë të UÇK-së kryen veprime që çuan në vrasjen e 96 personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”, u tha në vendim.

Vendimi për katër ish-drejtuesit e UÇK-së u prit në fund të një gjykimi që ka shkuar shumë përtej kuadrit ligjor.

Në vendin ku ish-guerilasit mbeten heronj, kjo gjykatë speciale rihapi plagët e luftës, shkruajnë mediat në Prishtinë. Pala mbrojtëse ka mundësi ta apelojë vendimin në shkallët tjera të gjykatës.

Top Channel