Makina e blinduar e Ylli Brahimit, 46-vjeçarit të plagosur gjatë atentatit të kësaj të premteje është bërë shoshë nga plumbat.

Top Channel ka siguruar pamjet, ndërsa makina me të cilën ai lëvizte është larguar nga vendngjarja.

Klisman Preçi ndërroi jetë këtë të premte pas atentatit, ndërsa Ylli Brahimi është plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë. 46 vjeçari ka marrë plumb në gjoks dhe këmbë.

Klisman Preçi dhe Ylli Brahimi po qëndronin poshtë shtëpisë, në momentin e atentatit.

Në Borzanë të Krujës është gjetur një mjet tip ”Audi”, duke u djegur,  ndërsa po verifikohet nëse është e atentatorëve.

Konkretisht Ylli Brahimi, i ka shpëtuar një atentati në vitin 2021, kurse Klisman Preçi u ka shpëtuar plumbave në maj të këtij viti.

Ylli Brahimi është i përfshirë në biznesin e lojërave të fatit, i dënuar për trafik lëndësh narkotike, ndërsa Klisman Preçi ka precedent për grabitje me armë.

Kujtojmë se vetëm gjashtë ditë më parë një atentat mafioz me tre viktima ndodhi në mbikalimin e Fushë-Krujës, ndërsa nuk dihet nëse atentati i kësaj mbrëmjeje ka lidhje me ngjarjen.

Top Channel