Bojkotuan mbulimin e presidentit Trump, pesë rrjetet televizive përfundojnë nën hetim nga Departamenti i Drejtësisë

11/10/2026 08:46

Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara ka nisur një hetim ndaj disa rrjeteve televizive, për të përcaktuar nëse kanë shkelur ligjet federale të konkurrencës, pasi pezulluan për disa ditë mbulimin e përbashkët mediatik të presidentit Donald Trump.

Muajin e kaluar, pesë rrjete televizive ndërprenë përkohësisht pjesëmarrjen në mbulimin e përbashkët të aktiviteteve presidenciale, në shenjë reagimi ndaj vendimit të administratës Trump për t’u hequr akreditimin gazetarëve të CNN, MS Now dhe Politico.

Departamenti i Drejtësisë u ka kërkuar rrjeteve ABC, CBS, CNN, NBC dhe Fox News të dorëzojnë komunikimet që lidhen me këtë veprim. Sipas autoriteteve, bojkoti i mundshëm mund të përbëjë shkelje të ligjit Sherman, i cili ndalon praktikat monopoliste dhe marrëveshjet antikonkurruese mes kompanive.

Sistemi i njohur si “presidential pool” u mundëson një grupi të kufizuar gazetarësh të ndjekin nga afër aktivitetet e presidentit dhe të ndajnë materialet e siguruara me pjesën tjetër të medias.

Një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë deklaroi se Divizioni i Antitrustit po heton për të përcaktuar nëse organizatat mediatike kanë shkelur ligjet e konkurrencës. Deri më tani, rrjetet televizive nuk kanë bërë komente publike lidhur me hetimin.

Konflikti mes Shtëpisë së Bardhë dhe mediave

Muajin e kaluar, Trump u ndaloi CNN-it, MS Now dhe Politico-s aksesin në Shtëpinë e Bardhë, duke i akuzuar këto organizata se publikonin “trillime ose gënjeshtra” për administratën e tij.

Aksesi i tyre u rikthye më vonë, pas një vendimi gjykate. Të tria mediat kishin ngritur padi kundër administratës, duke argumentuar se kufizimi i aksesit cenonte të drejtat e tyre kushtetuese, të garantuara nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane.

Ky amendament mbron lirinë e shtypit dhe, sipas interpretimeve tradicionale gjyqësore, kufizon mundësinë e qeverisë për të diskriminuar mediat për shkak të përmbajtjes së raportimeve të tyre.

Administrata Trump ka ndërmarrë edhe hapa të tjerë ligjorë kundër organizatave mediatike, përfshirë padi që lidhen me pasqyrimin e presidentit në publik.

Përplasja me Associated Press

Në shkurt, Shtëpia e Bardhë njoftoi se do të merrte nën kontroll organizimin e grupit të gazetarëve që mbulojnë aktivitetet e presidentit. Për më shumë se një shekull, ky grup ishte administruar nga Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.

Po atë muaj, administrata Trump ndërmori hapa për të përjashtuar gazetarët dhe fotografët e agjencisë Associated Press (AP) nga disa ambiente me akses të kufizuar, përfshirë Zyrën Ovale dhe avionin presidencial Air Force One.

Vendimi erdhi pasi agjencia vijoi të përdorte emërtimin “Gjiri i Meksikës”, në vend të emrit “Gjiri i Amerikës”, të preferuar nga administrata Trump.

Associated Press ngriti padi kundër administratës dhe çështja gjyqësore vijon të jetë e hapur.

Hetimi i ri ndaj rrjeteve televizive hap një tjetër front në përplasjen mes administratës amerikane dhe mediave, ndërsa autoritetet duhet të përcaktojnë nëse veprimi i përbashkët i televizioneve përbënte shkelje të ligjeve federale të konkurrencës.

Top Channel