Për periudhën janar-qershor 2022 importet e vezëve arrijnë në shifra rekord.
Rritja ka nisur pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në muajin mars, duke arritur pikun për muajt maj dhe qershor.
Sipas të dhënave të doganave për “Monitor” për periudhën janar-qershor importet e vezëve janë rreth 25 herë më të larta se e njëjta periudhë e 2021. Në total në këtë periudhë janë importuar 380,7 mijë kg vezë nga 15,4 mijë kg vezë që u importuan vjet.
Tendenca e lartë e importeve të vezëve ishte shënuar edhe në 2015. Në raport me këtë periudhë importet e janar-qershor 2022 janë rreth 2,5 herë më të larta.
Operatorët pohojnë me shqetësim se po humbasin konkurrueshmërinë për shkak të importeve të larta kryesisht nga Serbia me çmim më të ulët se veza vendase. Drejtori i shitjeve të kompanisë të vezëve “Ovvital” z. Lilo Seraj nënvizoi për “Monitor” se aktualisht çmimi me shumicë i vezës nga fermat blegtorale ka shënuar rënie 5% (nga 18 lekë që ishte në 17 lekë për kokërr). Sipas tij rënia e çmimit ka ardhur nga rritja e importit të vezëve me çmim më të lirë se të vendit dhe zbutja e kostove nga furnizimet vendase me grurë dhe misër.
“Te ulja e çmimit ka ndikuar edhe importi i vezës së kategorisë A nga Serbia, pasi çmimi është shumë herë më i lirë, kjo si pasojë e sistemit të taksave që kanë për lëndët e para më blegtori. Ne taksohemi 20% për lëndët e para, kurse në Serbi taksa është 6%. Po ashtu Serbia është një nga prodhuesit më të mëdhenj të grurit dhe misrit në rajon. Ne taksohemi 20% për lëndët e para, kurse në Serbi taksa është 6%. Konsumi në përgjithësi i të gjithë artikujve ka shënuar rënie dhe impakti që prisnim nga turizmi nuk është ai që pritej”, theksoi ai.
Rritja e lartë e importeve te disa ferma blegtorale po jep efekte edhe te ulja e prodhimit. Vjet sipas të dhënave të INSTAT në 2021 u prodhuan 9% më shumë se në 2020. Në tregun e vezëve ekziston gjithmonë mbiprodhimi, për këtë arsye operatorët gjithmonë ndihen në panik, pasi nuk arrijnë të mbajnë dot çmimin brenda normave të kostos dhe fitimit, pasi veza është një produkt delikat dhe nuk mund të magazinohet për një kohë të gjatë, për këtë arsye ulet çmimi.
Para valës së rritjes së çmimit të drithërave për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, çmimi i vezës me shumicë ishte 13 lekë për kokërr. Në mesin e muajit mars veza me shumicë nga fermat u shit me 18 lekë për kokërr (rritja 38%) nga 15 lekë për kokërr që ishte më parë, ndërsa në dyqanet e produkteve ushqimore çmimi i vezës arriti 19 lekë nga 17 lekë për kokërr që shitej më parë.
Në fund të muajit mars çmimi i shitjes së vezës nga dyqanet e pakicës arriti në 24 lekë për kokërr, nga mungesa e 50% të prodhimit ditor për shkak të ngordhjes të pulave nga influenca aviare./Monitor
Top Channel