Njëri prej viktimave të atentatit të trefishtë të Fushë Krujës këtë të diel është arrestuar më parë për shpërndarje kokaine në Tiranë.
Ai është Diklen Vata, 30 vjeç nga Laçi, kurse dy të tjerët që janë shkrumbuar janë Brilant Martinaj dhe Arbër Hoxha.
Brilant Martinaj ishte i dyshuar për vrasjen e policit Xhulio Prela para dy vitesh. Kurse Diklen Vata rezulton person me precedentë penalë për trafik narkotikësh.
Mësohet se Vata është arrestuar në vitin 2017 për shpërndarje kokaine në Tiranë. Në vitin 2017 atij iu gjet në çorape dhe në çelësat e makinës, 22 doza kokainë.
“Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi në vendin e quajtur zona e shkollës “Bajram Curri”, i është gjetur e fshehur në çorape një mbështjellëse me lëndë narkotike e dyshuar e llojit kokainë, si dhe 3 mbështjellëse të tjera të fshehura në çelësat e makinës. Në vijim është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Diklen Vata, ku gjatë kontrollit të ushtruar i janë gjetur dhe 18 mbështjellëse të tjera me lëndë narkotike e dyshuar e llojit kokainë. Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale : – 22 doza me lëndë narkotike e dyshuar e llojit kokainë e cila rezultoi e peshës 11.4 gramë. – 3 aparate celularë – mjeti i markës “Rover” Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale ” Prodhim dhe shitja e lëndëve narkotike”, sipas njoftimit pesë vite më parë.
Dyshohet se autorët e vrasjes kanë qenë në lëvizje në momentin që kanë qëlluar, ndërsa tre viktimat po udhëtonin me automjetin tip “Volswagen Passat”.
Si pasojë automjeti ka marrë flake nga të shtënat dhe nxehtësia e madhe. 30-vjeçari ka qenë pasagjer, ka mundur të dalë nga automjeti dhe ka humbur jetën sapo ka dalë prej tij.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe forca të shumta policie.
Nga krehja e zonës, në Larushkë, është gjetur duke u djegur një automjet tip “Volswagen Passat” që dyshohet se është i autorëve.
Në brendësi të automjetit është konstatuar një automatik që dyshohet se është përdorur nga autorët për të kryer krimin.
Në ndihmë të Policisë vendore kanë shkuar grupe të FNSh Tiranë dhe janë ngritur pika kontrolli nga DVP Tiranë e Lezhë.
Top Channel