Organizata Evropiane e Trashëgimisë Kulturore, “Europa Nostra” i mbetet qëndrimit të saj, se Manastiri i Deçanit është “monument i rrezikuar”, pavarësisht kundërshtimit të Prishtinës zyrtare që e mohon një gjë të tillë.

Një vit më parë organizata Europa Nostra, e përfshiu Manastirin e Deçanit në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara në Evropë. Këtë javë një delegacion i “Europa Nostra” kreu një vizitë në Kosovë dhe zhvilloi takime me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, ministra të qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë.

Ende nuk ka zgjidhje përfundimtare

Për “Europa Nostra” ka disa arsye, pse Manastiri i Deçanit vazhdon të jetë “Monument në Rrezik”. “Së pari, ende nuk është rënë dakord nga të gjitha palët për një zgjidhje përfundimtare lidhur me pasojat e shkaktuara nga planet për rritjen e trafikut brenda dhe rreth Zonës së Veçantë Mbrojtëse të Manastirit të Deçanit, si dhe as në lidhje me ndërhyrjet e tjera të paralajmëruara, siç është projekti buzë lumit, që mund të ndikojnë negativisht në mjedisin natyror të Manastirit i cili do të konsiderohet si pjesë përbërëse e vlerës së tij të jashtëzakonshme të trashëgimisë”, thuhet në një komunikatë të Europa Nostra.

Nër argumentet e saj, “Europa Nostra” përmend edhe mos-zbatimin nga autoritetet e Kosovës të vendimit të vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që konfirmon pronësinë e Manastirit të Deçanit në 24 hektarë tokë përreth Manastirit, duke konsideruar se “kjo gjë cenon sundimin e ligjit dhe sigurinë juridike të këtij Manastiri”. Sipas Europa Nostra, “Manastiri duhet të vazhdojë të ruhet 24/7 nga trupat paqeruajtëse të KFOR-it.

Kosovo | Europa Nostra DelegationTakim i Europa Nostra me Kishën Ortodokse Serbe

Reagime nga Kosova: Qasje joprofesionale

Por autoritetet e Kosovës nuk pajtohen me argumentet e “Europa Nostra”. Sipas Ministrisë së Kulturës së qeverisë së Kosovës, “përfshirja e Manastirit të Deçanit në listën e 7 lokaliteteve më të rrezikuara në Evropë nuk është e drejtë, pasi nuk është e bazuar në argumente profesionale dhe nuk reflekton pasqyrën reale të Manastirit”.

Dy ministra të qeverisë së Kosovës, ai i Infrastrukturës Liburn Aliu dhe ministri i Kulturës Hajrullah Çeku, deklaruan se “mungesa e vlerësimit të rrezikut që i kanoset Kalasë së Novobërdës, dhe insistimi për “rrezikun” ndaj Manastirit të Deçanit, është edhe një dëshmi për qasjen jo-profesionale, politikisht të ndikuar të organizatës Europa Nostra”. Ata theksuan edhe njëherë që “Europa Nostra i detyrohet një kërkim falje Kosovës dhe kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj reputacionit të Institucioneve të Kosovës”.

Sipas tyre gjendja e sigurisë në objektet e trashëgimisë kulturore, në veçanti të atyre fetare është përmirësuar, dhe ky fakt argumentohet me raportet e organeve të sigurisë, Policisë së Kosovës dhe Misionit të KFOR-it në Kosovë.

“Nga vitet 2014-2021, në policinë e Kosovës janë raportuar 537 raste në ndërtesa fetare (shumica raste të vjedhjes), prej tyre 61 % në ndërtesa fetare myslimane, 31% në ndërtesa Katolike dhe 6% në ndërtesa Ortodokse. Shumica e tyre janë raste të vjedhjeve, përderisa asnjë rast nuk është klasifikuar si rast me motive fetare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.

Kosovo | Europa Nostra DelegationTakim i Europa Nostra me ministrin e Kosovës për Infrastrukturën, Liburn Aliu

QUINT i rikujtoi qeverisë së Kosovës zbatimin e vendimit

Çështja e Manastirit të Deçanit, vazhdon të mbetet temë debati edhe brenda pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Krerët e misioneve të vendeve më të industrializuara QUINT, për të disatën herë me radhë i kanë kërkuar qeverisë së Kosovës që ta zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese për t’ia kaluar në pronësi, rreth 24 hektar tokë përreth Manastirit të Deçanit. Qeveria e Kosovës dhe komuna e Deçanit ku gjendet Manastiri, hezitojnë ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tyre tokat përreth manastirit kanë qenë prona të ndërmarrjeve shoqërore, ndërsa, shprehin habinë “se si i është njohur Manastirit e drejta e palës në procedurë”. Megjithkëtë QUINT ia rikujtojë qeverisë së Kosovës që është obligim zbatimi i vendimit.

“Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Përkundër këtij vendimi të ligjshëm dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar. Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, thuhet në një deklaratë të fundit të QUINT.

Në deklaratë më tej thuhet se “shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të bashkuar në mbështetjen e tyre për të ardhmen demokratike dhe evropiane të Kosovës. Thirrjes së QUINT-it ju bashkua edhe Kisha Ortodokse Serbe, përmes igumenit të Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, duke shprehur shqetësimin e saj për siç thotë “shkeljen e të drejtave pronësore të Kishës Ortodokse Serbe nga institucionet e Kosovës”.

Kosovo Decani Demonstration Rückgabe Landbesitz KlosterProtestë kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kthimin e pronave manastirit, 27 maj 2016

A mund ta pengojë Kosovën çështja e Manastirit të Deçanit?

Qeveria e Kosovës nga ana e saj, thotë se ajo do të angazhohet maksimalisht që të ruhen të drejtat legjitime të Manastirit të Deçanit, por në të njëjtën kohë, u bëhet thirrje liderëve fetarë të Manastirit që ta bëjnë pjesën e tyre duke kërkuar zgjidhje nëpërmjet dialogut e marrëveshjeve me popullatën lokale. “Jemi të vetëdijshëm që vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen, por duhet t’i kemi parasysh edhe kundërthëniet që i kanë përcjellë çështjet e tokave përreth Manastirit në aspektin historik dhe atë ligjor. Së pari gjithçka e ka burimin te vendimi i Qeverisë së Serbisë në vitin 1997 kur iu dhanë tokat Manastirit në mënyrë diskriminuese sepse ato ishin pronë e dy ndërmarrjeve publike. Së dyti Manastiri i Deçanit nuk ka identitet të pavarur ligjor sepse ligjërisht i përket kishës ortodokse serbe. Është pak e habitshme se si i është njohur Manastirit e drejta e palës në procedurë. Aq sa është edhe përfshirja e Gjykatës Kushtetuese në këtë proces duke i dhënë të drejtë Manastirit”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

Moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit  të Deçanit mund ta pengojë Kosovën në rrugëtimin  saj drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, thonë analistët. Madje sipas tyre, pengesa e parë që mund t’i paraqitet Kosovës pas aplikimit zyrtar, është anëtarësimi në Këshillin e Evropës, për faktin që demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë tri vlerat themelore mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA