Foto e fundit e alpinistit fatkeq, disa momente para shembjes së akullnajës në Alpet italiane (video-foto)

06/07/2022 17:10

Alpinisti me eksperiencë Filippo Bari, 27 vjeç, kishte bërë një foto të lumtur me komentin ‘Shikoni ku jam’ vetëm disa minuta para se të shtypej për vdekje nga akulli e gurët në ortekun e tmerrshëm ku u vranë të paktën shtatë ekskursionistë të tjerë.

Disa minuta para se të humbte jetën në Alpe, Bari i kishte dërguar foton familjarëve të tij.

Ai po ngjitej në majën Marmolada në malet Dolomite me miqtë e tij, kur një copë e madhe e akullnajës u thye papritur duke lëshuar një ortek akulli, dëbore e gurësh të dielën.

Përvec shtatë të konfirmuarve të vdekur, pesë alpinistë të tjerë janë të humbur teksa shpresat për gjetjen e të mbijetuarve po shuhen shpejt.

Vëllai i tij Andrea, tha se fotoja i ishte dërguar nga i ndjerë 20 minuta para tragjedisë.

“Filippo adhuronte malet dhe natyrën në përgjithësi. Shkonte gjithmonë i përgatitur në udhëtimet e tij por fati nganjëherë është mizor”.

Stuhitë kanë penguar kërkimet për ekskursionistët ende të humbur në tragjedinë e akullnajës Marmolada.

Të paktën shtatë vetë kanë vdekur dhe nëntë janë plagosur në incidentin e tmerrshëm të mbrëmjes së të dielës që ndodhi teksa dhjetra ekskursionistë po ecnin, disa të lidhur me litar njëri me tjetrin.


Rrjeti Rai tha se tre nga të identifikuarit ishin italianë, duke përfshirë dhe një guidë malore me eksperiencë që drejtonte grupin.

Një prej të vdekurve vinte nga Republika Çeke,tha Rai.

Sipas raportimeve të mediave, të humburit përfshijnë të tjerë italianë, tre rumunë, një francez, një austriak dhe katër të tjerë nga Republika Çeke.

Kreu i rajonit Veneto, Luca Zaia, tha se disa ekskursionistë ishin të lidhur për siguri me njëri-tjetrin.

FOTO GALERI
3/3
Një copë e madhe e akullnajës u thye papritur duke lëshuar një ortek akulli, dëbore e gurësh të dielën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA