Shembja vrastare e akullnajës në Itali/ Stuhitë pengojnë kërkimet dhe zbritjen e trupave të viktimave (fotot)

04/07/2022 18:42

Kushtet janë tepër të rrezikshme për rinisjen e kërkimeve për të humburit si dhe për zbritjen e trupave të viktimave, thanë sot zyrtarët nga Alpet italiane.

Stuhitë kanë penguar kërkimet për rreth 10 ekskursionistë ende të humbur në tragjedinë e akullnajës Marmolada, ku shembja e papritur shkaktoi një ortek akulli, dëbore e gurësh poshtë faqes së malit.

Të paktën shtatë vetë kanë vdekur dhe nëntë janë plagosur në incidentin e tmerrshëm të mbrëmjes së të dielës që ndodhi teksa dhjetra ekskursionistë po ecnin, disa të lidhur me litar njëri me tjetrin.

Prokurori i Trento, Sandro Raimondi tha se fillimisht besohej se 17 ekskursionistë janë zhdukur, por më pas numri i tyre ra në 15 pas lokalizimit të disa prej të humburve.

Të paktën katër trupa janë sjellë në një morg të improvizuar në zonën e akullt të Canazei, në rezortin e maleve Dolomite, të cilat u identifikuan sot.

Rrjeti Rai tha se tre nga të idnetifikuarit ishin italianë, duke përfshirë dhe një guidë malore me eksperiencë që drejtonte grupin.

Një prej të vdekurve vinte nga Republika Çeke,tha Rai.

Sipas raportimeve të mediave, të humburit përfshijnë të tjerë italianë, tre rumunë, një francez, një austriak dhe katër të tjerë nga Republika Çeke.

Kreu i rajonit Veneto, Luca Zaia, tha se disa ekskursionistë ishin të lidhur për siguri me njëri-tjetrin.

Sot grupet e kërkimit thanë se kushtet ishin tepër të rrezikshme për grupet e qenve si dhe për të zbritur poshtë trupat e viktimave.

Ende gjashtëmbëdhjetë makina mbeten pa pronarë në parkingun e rezortit, teksa autoritetet po përpiqen të përcaktojnë nëse i përkasin viktimave apo të plagosurve.

“Një masakër e paimagjinueshme, disa nga trupat do të identifikohen vetëm me anë të ADN-së,” tha një burim i ndihmës për Rai News.

Nuk dihet ende çfarë shkaktoi shembjen e akullnajës dhe rënien si ortek me shpejtësi rreth  300km/orë në faqen e malit.

Akullnaja e vargmalit  Marmolada është më e madhja në malet Dolomite në verilindje të Italisë, dhe është një destinacion i njohur për skiatorët në dimër.

FOTO GALERI
1/4
Stuhitë kanë penguar kërkimet për rreth 10 ekskursionistë ende të humbur në tragjedinë e akullnajës Marmolada

Top Channel