Afrimi i tetë te Prishtina, firmos edhe ish-kapiteni i Shkëndijës

03/07/2022 15:17

Prishtina ka kryer një revolucion total këtë verë. Rekordmenët e futbollit dardan larguan plot 14 lojtarë pas përfundimit të sezonit të fundit, që ishte për t’u harruar dhe nuk u dhuroi aspak emocione tifozëve bardhekaltër.

Në stol është emëruar Ismet Munishi, i cili paralajmëroi rivalët në momentin që firmosi me klubin kryeqytetas: “E kur të kthehet lavdia, kundërshtarët do të na shohin në ëndërr”.

Pas largimeve është radha e merkatos në hyrje, dhe deri tani Prishtina ka prezantuar tetë futbollistë të rinj. I fundit është Muhamed Useini, mesfushori me tipare mbrojtëse nga Tetova.

33-vjeçari, i cili 3 vitet e fundit i kaloi te Gjilani, ka një eksperiencë të madhe, teksa ka luajtur në Maqedoninë e Veriut me Shkëndijën e Tetovës, Renovën dhe Rabotnickin, ndërsa në Superiore veshi fanellën e Flamurtarit.

Afrimet e tjera të Prishtinës janë Gentrit Dumani, Ramiz Bytyqi, Besir Ramadani (mbrojtës), Egzon Bislimi (portë), Chaves Santos (sulm), Mërgim Pefqeli, Endrit Baholli (mesfushor ofensiv)./ Super Sport

Top Channel