Fitoi Premier League-n me Man. United në vitin 2001, ndahet nga jeta ish-portieri i famshëm skocez

02/07/2022 18:22

Ish-portieri skocez i Rangers dhe Manchester United, Andy Goram, u nda nga jeta këtë të shtunë në moshën 58-vjeçare. Ai kishte njoftuar në fund të majit se vuante nga një sëmundje e pashërueshme.

Më 30 maj, Goram zbuloi për gazetën “Daily Record” se mjekët i kishin dhënë rreth gjashtë muaj jetë. Edhe nëse do t’i ishte nënshtruar kimioterapisë, nuk do të jetonte më shumë se tre muaj të tjerë.

Lajmi u bë i ditur këtë të shtunë nga klubi skocez: “Klubi i Futbollit i Rangers me pikëllim të thellë njofton vdekjen e portierit tonë legjendar, Andy Goram, pas një beteje të shkurtër me kancerin.”

Në një sondazh me tifozët në vitin 1999 ai u votua si portieri më i mirë në historinë e Rangers. Andy bëri gjithsej 260 paraqitje për Rangers midis 1991 dhe 1998, duke fituar pesë tituj kampon, tri Kupa të Skocisë dhe dy Kupa të Ligës. Përveç kësaj, ai luajti 43 ndeshje për Skocinë dhe ishte portieri titullar në Euro 1992 dhe 1996.

Pas kësaj faze në klubin skocez, ai luajti për Notts County, Sheffield United, Motherwell, Manchester United, Hamilton, Coventry, Oldham, Queen of the South dhe Elgin. Goram ishte pjesë e skuadrës së Manchester United që fitoi Premier League në 2001.

Top Channel