Familja ukrainase rrëfen tmerrin e përjetuar në Mariupol

02/07/2022 19:39

Maxym Kudryashov dhe familja e tij u larguan nga Mariupol-i në pjesën lindore të Ukrainës me vajzën e tyre në krahë, duke lënë pas anëtarë të tjerë të familjes, të varrosur në oborrin e shtëpisë.

Shtëpia e tyre, si pothuajse gjithçka tjetër, është shkatërruar nga ushtria ruse. Ata janë ndër familjet më me fat të refugjatëve, që arritën të dilnin nga Mariupol-i dhe të shkonin në Rivne, në Ukrainën perëndimore. Gazetari i Zërit të Amerikës, Omelyan Oshchudlyak u takua me ta në Rivne dhe në vazhdim sjell historinë e tyre.

Puna po vazhdon me ritëm të zakonshëm në këtë repart, edhe pse shumë punonjës të saj janë duke luftuar.

“Tani kemi pesë persona të zhvendosur, që zunë pozita të lëna bosh në kompani; ata janë të gjithë specialistë të nivelit të lartë”, thotë shefi i kësaj ndërmarrjeje.

Para luftës, Maxym Kudryashov punoi në fabrikat e mëdha industriale në Mariupol. Sot, ai i është rikthyer punës në Rivne.

“Më në fund kam përsëri ëndrra normale. Para kësaj, për një muaj, në të gjitha ëndrrat unë isha në arrati…”, thotë zoti Kudryashov

Me gruan e tij Lyudmyla, vajzën shtatëvjeçare Liza dhe lepurin që e mbajnë si kafshë shtëpiake, familja arriti të largohej, pasi kishte përjetuar për një muaj sulmet e forcave ruse në qytetin e tij të lindjes në Mariupol.

“Lepuri e ndihmoi shumë vajzën tonë. I vendosnim kufje në kokë që të mos dëgjonte shpërthimet; ajo ulej dhe përqafonte lepurin. Me muzikë në vesh, ajo u fsheh në një cep me lepurin, të mbuluar nga një batanije. Pastaj u fshehëm në bodrum në të njëjtën mënyrë”, rrëfen zonja Kudryashov.

Lepuri i kaloi të gjitha postblloqet në krahët e pronarëve të tij kur familja u largua nga Mariupol-i, për në pjesën perëndimore të Ukrainës.

“Makina jonë ishte e shënuar me shirita të bardhë, me një tabelë të madhe që thoshte “Fëmijë”. Ishte e qartë se po mbaja një fëmijë në krahë. Megjithatë, ata qëlluan mbi mua”, vazhdon rrëfimin e saj zonja Kudryashova.

Maxym dhe Lyudmyla qëndruan në Mariupol për një muaj, sepse nëna e saj, që vuante nga një sëmundje e rëndë, kishte nevojë për kujdes të vazhdueshëm.

Megjithatë, familja u detyrua të marrë vendimin e vështirë për tu larguar, kur kuptoi se ushtria ruse po shkatërronte lagjen e tyre, shtëpi pas shtëpie.

“…Njerëzit nuk kishin kohë të largoheshin nga ndërtesat. Disa duke qarë, u hodhën nga kati i nëntë, i tetë, i shtatë. Ne pamë njerëz që hidheshin nga dritaret sepse banesat e tyre ishin në flakë. Dhe ishte e pamundur t’i ndihmoje…” thotë zonja Kudryashova.

Nëna e Lyudmyla-s vdiq në Mariupol, pasi familja u largua dhe fqinjët e tyre e varrosën atë në oborr. Pas arritjes në Rivne, një qytet relativisht i sigurtë, kjo familje arriti të linte pas një pjesë të frikës së tyre.

“Një vit më parë, u interesova të mësoja pianon dhe një melodi që kam kompozuar quhet “Muzika e Detit”. Më pas i shtova një video të detit tonë Azov, të filmuar buzë detit. Kur filloi lufta dhe gjithçka u dogj, gjithçka u shkatërrua, kjo video për mua u bë si një lamtumirë për qytetin. E shikoj ndonjëherë, duke kujtuar se si ishin gjërat…” thotë zoti Kudryashov.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA