“Lojtar modern, ai për të cilin ka nevojë Lukaku”, Asllani zgjedh numrin e ish-kapitenit

30/06/2022 10:39

Dje ishte dita e rikthimit të Romelu Lukakut tek Interi, por edhe e Kristjan Asllanit.

Pjesëtarë të “Curva Nord” e mirëpritën me kore 20-vjeçarin nga Elbasani, i cili është shumë i lumtur për këtë hap të madh të hedhur në karrierë. Brenda një viti erdhën debutimi në kombëtaren kuqezi dhe transferimi tek Interi. Lojtari shqiptar ka zgjedhur të mbajë veshur fanellën me numër 13, që deri në sezonin e fundit i përkiste Andrea Ranocchias, ish-kapitenit që u transferua te Monza.

Mbërritja tek Interi është kurorëzimi i një ëndrre për dikë që ka bërë tifozllëk gjithmonë për ngjyrat zikaltër, dhe që një vit më parë festonte në shtëpi fitimin e titullit kampion nga Lukaku me shokë, para se të fitonte titullin me të rinjtë e Empolit”, shkruan GDS për talentin shqiptar. E përditshmja italiane vazhdon edhe më tej:

Asllani është një lojtar modern, i cili vrapon pafund dhe ka kualitet. Ndër karakteristikat e tij kryesore janë aftësia për të vertikalizuar dhe për të gjetur direkt sulmuesin. Kjo është pikërisht ajo për të cilën ka nevojë Lukaku për të shkëlqyer, për t’u rinisur në fushë të hapur dhe për të sulmuar thellësinë me potencën e tij fizike.

Asllani u mor në huazim për 4 milionë euro, me detyrimin e blerjes për 10 milionë të tjera, + 2 milionë bonuse dhe huazimin e Satrianos. Interi ka vënë bast mbi talentin e tij për të rregulluar një boshllëk strukturor që sezonin e kaluar i kushtoi disa pikë në garën për titullin”./ Super Sport

Top Channel