“E pamundur të mbash dikë që do të largohet”, mbaron dashuria mes Juves dhe yllit holandez

30/06/2022 10:49

Dashuria mes Matthijs De Ligt dhe Juventusit ka marrë fund. Chelsea dhe Manchester City po garojnë për shërbimet e mbrojtësit holandez, i cili ka edhe dy vite kontratë me Juventusin, teksa klauzola e shitjes së tij prek shifrën 120 milionë euro.

Klubi italian ka pranuar shitjen e 22-vjeçarit, fjalë që konfirmohen nga Maurizio Arrivabene, administratori i deleguar i Juventusit. “Është e pamundur të mbash një lojtar që dëshiron të largohet.

Por është gjithmonë çështje numrash, nuk është se nëse dikush dëshiron të largohet, ti i përgjigjesh: të lutem, zini një vend në tavolinë. Por, nga tavolina e bisedimeve duhet të ngrihen të tri palët të kënaqur. Kush ka paratë, fiton”.

Në fund një koment për Juventusin e ri që po lind. “Nuk ka Juventus të ri, ka Juventus që ka si synim vazhdimësinë e mbajtjes së një ekipi në nivelet më të larta.

Marka ‘J’ ka një potencial të madh. Ne duhet të krijojmë një ekip që duhet të fitojë në fushë dhe një tjetër që punon për të zgjeruar markën në mbarë botën”, deklaroi drejtuesi i bardhezinjve nga Torino./ SuperSport

Top Channel