Top Talk/ Amnistia fiskale një tullumbace financiare që mbart këto rrisqe të mëdha. Flet eksperti i ekonomisë Zef Preçi

28/06/2022 18:15

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi në një lidhje me skype me emisionin Top Talk në Top Channel e konsideroi amnistinë fiskale një tullumbace financiare që mbart rrisqe të mëdha.

Amistia është një çështje që është hedhur në diskutim dhe mund  të marrë fuqi ligjore, një iniciativë për të formalizuar para informale që ndodhen në duart e shqiptarëve.

“Në vendet e varfra ku sistemi i kontabël  është i dobët dhe ekonomia dominohet nga sektori informal në masë të konsiderueshme dhe besueshmëria e institucioneve është e dobët kuptohet që masa të tilla janë në vazhdimësi me të mira dhe të këqijat e veta. Vendi ynë ka vite që falin kamatëvonesa, gjoba qoftë për siguracione të papaguara, utilitete publike si ujë, energji e etj. apo detyrime të papaguara. Suksesi i një mase të tillë kërkon tre parakushte, konsensus të gjerë publik me atë pjesë publike që paguajnë rregullisht taksat, vendi ynë ka 30 50% ekonomi informale që do të thotë se 50 deri 70% të bizneseve paguajnë rregullisht taksat. Fshehja e taksave është krim dhe kërkohet garanci politike.  Kërkohet garanci tjetër që është konsensusi me institucione ndërkombëtare siç është rasti i FMN-së, është shumë e rëndësishme që masat që merren të jenë të bashkërenduara me të. Nxitet evazioni fiskal se krijohet perceptimi që mos i paguaj taksat se një vit do t’i falin dhe do të dalim më të pasur nga fshehja se sa pagimi i tyre. Në vende që kanë peshë të madhe të ekonomisë kriminale siç është përpunimi, eksportimi i drogërave, që për fat të keq ne jemi në këtë fazë. Kufiri mes parave formale, informale dhe atyre kriminale është shumë poroz. Në këto kushte nuk ka se si të jetë dakord FMN-ja”, tha eksperti.

Ai u shpreh se diskutimi i amnistisë fiskale e bën pesimist pasi beson se s’do të ketë konsensus ndërkombëtar apo politik dhe s’do të ketë mirëkuptim nga pjesa e shoqërisë që paguan rregullisht taksat.

 “Unë e shikoj të pamundur të arrihet, edhe hartimi i këtij drafti, pa thënë që kush janë grupet sociale apo grupet e biznesit, pa thënë edhe një eksperiencë të vetëm të një emigranti. Nuk e shoh zgjidhje bashkëpunimin me këtë pjesë të ekonomisë e cila sinjali i diskutimit ka lejuar më shumë pulla, më shumë leje ndërtimi në formë bashkë-aksionaresh apo forma të tjera përmes noterëve , unë e shoh sistemin në agresion të vërtetë të parave kriminale. E shoh në pozicion dekurajimi policinë, apo institucionet. Kjo më bën pesimist se edhe që s’do të ketë konsensus ndërkombëtar apo politik, edhe që s’do të ketë mirëkuptim nga pjesa e shoqërisë që paguan rregullisht taksat, e shoh si një rrezik të shtuar për performancën e administratës tatimore. Është gjet një kënd i papërshtatshëm, ne po bëjmë përditë aministi, është mirë të nxjerrim mësime, në fund të fundit ky është kapitalizmi, më mirë të kujdesemi për shtresën e varfër se sa ata t’i fshihen edhe atyre taksave. Të gjitha analizat e vendeve të ngjashme apo që kanë tentuar të hedhin hapa në këtë drejtim, tregon se hedhja e këtyre hapave që e bën vendin një parajsë fiskale nuk është asgjë më shumë se sa koncesion që i bëhet grupeve kriminale”, u shpreh Preçi.

Top Channel