U sulmua para garës nga një tifoz, atleti francez nuk tërhiqet dhe fiton garën

27/06/2022 17:16

Një ngjarje e rëndë i ka ndodhur atletit francez, Wilfried Happio me këtë të fundit që është sulmuar nga një tifoz që pasi kaloi të gjithë filtrat e sigurisë, ia doli ta sulmonte fizikisht sportistin.

Atleti francez ishte duke bërë nxemjen e zakonshme para garës së 400 metrave me pengesa, kur tifozi e goditi duke e dëmtuar në njërin sy, megjithatë 23-vjeçari nuk u dorëzua.

Happio jo vetëm që mori pjesë në garë sipas programit, por edhe e fitoi atë pavarësisht se njërin sy e kishte të fashuar. Pas triumfit që i siguroi një biletë për në Kampionatin Botëror të Atletikës, Happio u paraqit në konferencë për shtyp, por edhe aty u shfaqën të papritura pasi në një moment të caktuar, francezit nisi t’i dilte gjak nga hunda megjithatë i siguroi reporterët se gjithçka ishte në rregull me shëndetin e tij.

Pasi mbylli angazhimet, Happio u shoqërua për në spital ndërsa iu zbulua se kishte edhe fraktura në muskujt e fytyrës. Ndërkohë, sipas RMC, Happio mund të jetë sulmuar nga vëllai i një personi pranë Happio, i cili në të kaluarën mund të ketë pasur konflikt me sportistin francez.

Top Channel