Sulmuesi shqiptar kërkon një shans te Barcelona, trajneri e studion në fazë përgatitore

26/06/2022 15:49

Rey Manaj dëshiron të tregoj edhe një herë vlerat e tij te Barcelona. Sulmuesi është rikthyer përsëri në Spanjë pasi ekipi i Spezia nuk e aplikoi mundësinë e blerjes përfundimtare të kartonit.

Akordi me ekipin italian nuk u arrit për shkak të pagës së lartë që kërkonte 25-vjeçari.

Ashtu siç raporton edhe “Mundo Deportivo”, përfaqësuesi i kombëtares shqiptare kërkon një shans në fazën përgatitore për të bindur trajnerin Xavi në miqësoret që do të zhvillohen gjatë kësaj periudhe.

Manaj ishte një nga zbulimet e mëdha të Barçës në para sezonin e kaluar ku në miqësoret e zhvilluara ai shënoi katër gola në 117 minuta në dispozicion. Kontrata e tij me klubin blaugrana përfundon në vitin 2023 dhe tashmë kontaktet midis përfaqësuesve të lojtarit dhe drejtuesve kanë nisur për gjetjen e një zgjidhje të mundshme. Barcelona përfitoi 300.000 mijë euro për huazimin e Manajt gjatë transferimit në sezonit 2021-2022. Sulmuesi Shqiptar në sezonin e fundit në Seria A luajti 30 ndeshje duke shënuar pesë gola.

Top Channel