CEO i Shakhtar kundër FIFA-s: Po na shkatërrojnë, ndërsa agjentët e futbollistëve po pasurohen

24/06/2022 11:35

Lufta midis Ukrainës dhe Rusisë ka shkaktuar pasoja të mëdha edhe në futboll. Një prej skuadrave më të prekura është Shakhtar Donetsk.

Vendimi i FIFA-s që lejonte lojtarët dhe trajnerët të pezullojnë kontratat e tyre dhe të dalin me parametra zero do të jetë në fuqi edhe për sezonin e ri. Ky vendim po dobëson ekipet ukrainase dhe këtë gjë po e shfrytëzojnë agjentët, të cilët po përfitojnë edhe në aspektin personal.

Diçka të tillë e ka bërë publike Palkin, administratori i klubit në një deklaratë të tij.

“Disa agjentë po na shkatërrojnë. Ata po përpiqen të vjedhin lojtarët. Ata luajnë lojëra të shëmtuara, kontaktojnë klubet dhe marrëveshjet po prishen. Ju nuk mund ta imagjinoni se çfarë po ndodh.

Agjentët po na shkatërrojnë. Ata kanë ndërtuar një skemë, kontaktojnë klube të ndryshme, u bëjnë me dije të mos paguajnë asnjë qindarkë për Shakhtarin sepse lojtarët janë të lirë dhe thjesht klubet duhet të paguajnë komisionin e agjentit dhe gjithçka mbyllet me sukses. Kjo është e papranueshme, FIFA duhet të ndërhyjë menjëherë.”- tha Palkin, i cili më pas shtoi: “FIFA nuk i ka ndihmuar klubet ukrainase duke nxjerrë këtë rregullore. Përkundrazi, ajo përkeqësoi ndjeshëm negociatat tona me lojtarët dhe i bëri agjentët edhe më të fuqishëm dhe më të pasur, duke na shkatërruar ne drejtpërdrejtë.”

Top Channel