“Thumboi” Ibrën dhe Inzaghin! Interi gati ta gjobitë, Calhanoglu: U keqinterpretova

23/06/2022 16:31

“Ibra është një burrë 40-vjeçar, nuk është më 18 vjeç. Edhe pse nuk ka luajtur shumë këtë sezon, ai nuk ka kontribuar në titullin e Milanit. Atij i pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes. Ka shkruar për mua edhe në librin e tij, por mirë ka bërë pasi përndryshe libri do të ishte bosh.

Derbi i humbur në fazën e dytë? Interi është shumë më i fortë se Milani. Ajo ndeshje ndryshoi në minutën e 75’, kur rezultati ishte 1-0 për ne. Inzaghi më zëvendësoi mua dhe Perisic, ia kam thënë trajnerit se me lëvizjet e tij ka kontribuar tek ajo disfatë.

Megjithatë, Inzaghi është një person shumë i mirë dhe që kupton shumë nga futbolli. I qëndron afër skuadrës. Ai këmbënguli për transferimin tim”, deklaroi Hakan Calhanoglu për Tivibu Spor.

Fjalët e mesfushorit turk nuk janë pritur mirë në kampin zikaltër. 28-vjeçari nuk ka marrë leje në klub përpara se t’i përgjigjej pyetjeve dhe tani mund të përballet me një gjobë. Lojtari ofensiv ka reaguar në lidhje me deklaratat polemizuese, duke theksuar se fjalët e tij janë keqinterpretuar.

Me sa duket disa nga fjalët e mia janë keqinterpretuar. Nuk kam kritikuar kurrë asnjë trajner, lëre më trajnerin Inzaghi që e konsideroj një trajner të madh. Ishte ai që më kërkoi tek Interi, më ka dhënë shumë besim.

Nëse unë dhe shokët e skuadrës zhvilluam një sezon të jashtëzakonshëm, dhe fituam dy trofe, është merita e trajnerit”, deklaroi Calhanoglu, i cili e mbylli sezonin e parë me Interin me 8 gola dhe 13 asiste./ Super Sport

Top Channel