Dy penallti të humbura, Partizani nuk ruan avantazhin ndaj modestëve sllovenë

22/06/2022 20:20

Partizani ka zhvilluar sot miqësoren e dytë në tokën sllovene, aty ku po përgatitet për duelet e raundit të parë në Conference League përballë gjeorgjianëve të Saburtalo Tbilisi.

“Demat” u përballën me Jadran Dekani, ekipin që u rendit në vend të 13-të në divizionin e dytë në Slloveni.

Trajneri Dritan Mehmeti e nisi sfidën me këtë formacionin titullar: Hoxha, Sota, Bitri, Belica, Hadroj, Marku, Rrapaj, Murataj, Hoti, Skuka, Cara. Valentino Murataj kaloi Partizanin në avantazh në mesin e pjesës së parë (23’). Vendasit kishin një shans të artë për të barazuar rezultatin katër minuta më pas.

Gjithsesi, Alban Hoxha priti penalltinë e akorduar për Jadran Dekani. Në minutat e para të pjesës së dytë u akordua një tjetër penallti. Këtë herë për Partizanin, por Bruno Telushi u tregua i pasaktë. Ekipi slloven përfitoi dhe shënoi golin që evitoi humbjen. Takimi i radhës miqësor, skuadra kryeqytetase do ta luajë përballë Mariborit, sfidë e programuar më 29 qershor.

Top Channel