Ish-kapiteni i Interit prezantohet nga klubi i Berlusconit

21/06/2022 22:42

Monza e Berlusconit ka kryer dy blerje për të siguruar portën: risia e ditës është Alessio Cragno, i cili vjen nga Cagliari në formë huazimi me të drejtë shlyerje, e cila megjithatë, mund të shndërrohet në detyrim blerjeje nëse arrihet mbijetesa në Serinë A.

Për të përmirësuar prapavijën, është afruar Andrea Ranocchia, i zyrtarizuar menjëherë pas kryerjes së vizitave mjekësore në klinikën Culumbus në Milano.

Ish-i i Interit iu bashkua Monzas si lojtar i lirë, duke nënshkruar kontratë dyvjeçare: “Jam i lumtur që nis këtë aventurë të re”.

Ish-kapiteni i zikaltërve është hiti i parë i verës i Monzas, që përmes kanaleve zyrtare uroi mirëseardhjen veteranit:

“Ranocchia tani vjen te Monza, e sapongjitur në Serinë A, ku sjell përvojë, personalitet dhe mentalitet fitues. Mirë se vjen, Andrea!”

Ranocchia do të gjejë te bardhekuqtë një ish-shok skuadre (nga 2016 në 2018 dhe në 2020-2021), Andrea Pinamontin. Sulmuesi, që vjen pas një sezoni të shkëlqyer me fanellën e Empolit (13 gola të shënuar në 36 ndeshje), pritet të jetë goditja e parë e Gallianit për sulmin. Oferta e parë prej 12 milionë eurosh plus 3 bonuse u gjykua e ulët nga Interi, që kërkon të paktën 20 milionë për lojtarin./ Super Sport

Top Channel