Bashkëshortja mban “peng” Di Marian, qyteti i Torinos vendoset në provë

21/06/2022 18:27

Angel Di Maria mbylli aventurën me PSG dhe tashmë është në kërkim të aventurës së radhës, e cila pritet të jetë sërish e një niveli të lartë pavarësisht moshës 34-vjeçare të argjentinasit.

Një nga klubet më të interesuara për shërbimet e sulmuesit është Juventusi në Itali. Bardhezinjtë kanë identifikuar te cilësitë e Di Maria, pasardhësin e duhur për Paulo Dybala ndërsa trajneri Massimiliano Allegri pret ta rreshtojë në sulm përkrah Chiesa e Vlahovic.

Megjithatë, palët për momentin i kanë ndërprerë bisedimet me bardhezinjtë që janë të qartë në atë se çfarë ofrojnë për Di Maria, një kontratë dyvjeçare me shtatë milionë euro në sezon plus bonuset.

Gjithsesi, ngërçi i vërtetë nuk qëndron tek shifrat në kontratë, por tek bashkëshortja e Di Maria, Jorgelina Cardoso.

Kjo e fundit nuk është e bindur nëse Torino është qyteti i duhur për të dhe familjen e saj, ndaj në ditët në vijim do të udhëtojë personalisht drejt veriut të Italisë.

Nëse Torino do ta kalojë provën në sytë e bashkëshortes së Di Marias, atëherë argjentinasi ka një shans të lartë të veshë fanellën e Juventusit në sezonin e ardhshëm.

Sipas SuperSport, në këtë formë, tratativa është në vendnumëro dhe vendimi do t’i takojë Cardosos, ndërkohë që Di Maria ka edhe në tavolinë edhe një propozim nga Barcelona.

Top Channel