Sadiku dëshira e madhe për sulmin, e kërkon klubi me stadiumin më të vjetër

20/06/2022 14:14

Armando Sadiku shënoi gjashtë gola me Las Palmas në sezonin e fundit, ekip me të cilin luajti në duelet “play-off” për t’u ngjitur në La Liga. Objektivi nuk u arrit, ndërkohë që sulmuesi nga Elbasani del lojtar i lirë më 1 korrik.

31-vjeçari filloi të shënonte dhe arriti një formë të mirë në fundin e sezonit, drejtuesit e Las Palmas i ofruan rinovimin, por deri tani nuk ka asnjë akord. Gjithsesi, lojtari i kombëtares shqiptare mund të vijojë të qëndrojë në La Liga 2.

Onda Cero shkruan se për Sadikun ka interesim nga Sporting Gijon. Emri i lojtarit shqiptar ndodhet në krye të listës së dëshirave të Javi Rico, drejtorit sportiv të klubit asturian.

Gijon ka ambicie të rikthehet në elitën e futbollit spanjoll. Sezoni i fundit ishte për t’u harruar, djemtë e Abelardos u renditën në vend të 17-të, ndërsa drejtuesit po punojnë për të përforcuar skuadrën.

Sipas SuperSport nëse gjendet gjuha e përbashkët, Sadiku do të luajë prej sezonit të ardhshëm në “El Molinon”, stadiumin më të vjetër në Spanjë, në përdorim që nga viti 1908.

Top Channel