Gardiani kuqezi synon rinovimin e kontratës në Itali: I lumtur për debutimin me kombëtaren

20/06/2022 19:22

Elhan Kastrati synon që të vazhdojë aventurën në Serie B me Cittadellën teksa në një intervistë të fundit ka theksuar se është i qetë sa i përket rinovimit, ndërsa nuk lë pa përmendur edhe debutimin me kombëtaren kuqezi në miqësoren ndaj Estonisë.

“Unë ende nuk kam folur me klubin, por siç thotë edhe drejtori mendoj se rinovimi është thjesht një formalitet. Unë jam i qetë dhe me dëshirën për të vazhduar, dua të arrij me Cittadellën objektiva të rëndësishëm. Vitin e kaluar ishte një zhgënjim sepse nuk ia dolëm të shkonim në Play-Off, nuk e prisnim ta mbyllnim aq shpejt sezonin.

Debutimi me Shqipërinë? Realizova ëndrrën time, kalova të gjithë zinxhirët me kombëtaren nga U16 te U21 derisa më në fund erdhi grumbullimi dhe debutimi me kombëtaren e madhe. Më në fund ndodhi dhe ishte një emocion i bukur, nuk mund ta shpjegosh me fjalë atë që ndjen kur luan për vendin tënd”, u shpreh Kastrati.

Top Channel