Ja pse nuk firmos me Manchester United, Eriksen “asist” klubeve të Londrës

18/06/2022 18:05

Chritian Eriksen është një nga emrat më të lakuar në merkaton e klubeve të Premier League. Fantazisti u rikthye protagonist në fushat e futbollit në muajin janar teksa firmosi një kontratë gjashtëmujore me Brentford.

Drejtuesit e “Djave të Kuq” morën aprovimin e trajnerit Erik ten Hag për të negociuar me Eriksen, mirëpo ky i fundit duket se ka “hedhur” poshtë mundësinë për të luajtur në Old Trafford.

Në fakt, arsyet e Eriksen nuk lidhen shumë me aspektin sportiv, por kanë të bëjnë me dëshirën e lojtarit për të qëndruar në Londër dhe jo në qytetin e Manchester.

Eriksen është përshtatur me jetën në Londër duke qenë se më parë ka luajtur për plot shtatë vite me Tottenham dhe pikërisht, Spurs janë një nga opsionet më të mundshme për futbollistin danez.

Trajneri Antonio Conte ka punuar me Eriksen edhe tek Inter ndaj e pret krahëhapur. Megjithatë, në rast se nuk vesh fanellën e Tottenham, atëherë ish-futbollisti i Ajax ka mundësinë për të qëndruar pjesë e Brentford, edhe pse e ka pranuar se e “josh” ideja për të luajtur në Champions League.

Top Channel