Aks “i nxehtë” Milano-Londër, Lukaku te Interi brenda fundjavës, Chelsea synon dy futbollistë zikaltër

17/06/2022 09:20

Aksi Milano-Londër bëhet mjaft “i nxehtë” sa i përket merkatos, me Romelu Lukaun që është gjithnjë e më pranë rikthimit te Interi, aty ku shkëlqeu në periudhën 2019-2021, para se t’i bashkohej Chelsea-t verën e kaluar për shifrën e 115 milionë eurove.

Sulmuesi belg nuk u përshtat dot në “Stamford Bridge” dhe po këmbëngul për rikthimin te Interi, teksa negociatat me Chelsea-n janë në fazë të avancuar dhe transferimi mund të kompletohet që gjatë kësaj jave.

Zikaltrit duan ta regjistrojnë Lukaun brenda 30 qershorit për të përfituar nga Dekreti i Rritjes, që nënkupton një pagë bruto më të ulët sesa ajo që do të duhet të paguajë nga 1 korriku e në vijim, teksa distance mes dy klubeve për momentin është 5 milionë euro.

Interi është ofruar ta marrë Lukakun në huazim të thjeshtë, kundrejt 5 milionë eurove, ndërsa Chelsea ka zbritur deri në 10 milionë euro, ndaj gjasat janë që në orët e ardhshme të ketë marrëveshje për një shifër të ndërmjetme.

Megjithatë kjo mund të mos jetë lëvizja e vetme, pasi londinezët kanë humbur thuajse të gjithë futbollistët e mbrojtjes dhe kanë kërkuar informacion për sllovakun Milan Skriniar, ashtu si edhe për holandezin Denzel Dumfries.

Për Skriniar është interesuar edhe Paris Saint Germain, megjithatë Interi është treguar i gatshëm të negociojë për të dy futbollistët, por me kushtin që operacioni i shitjes së tyre të jetë i ndarë nga ai i rikthimit të Lukakut.

Momentalisht Paris Saint Germain ka ofruar deri në 60 milionë euro për Skriniar, ndërsa te Interi këmbëngulin për të paktën 70, plus bonuset, ndërsa holandezi Dumfries mund të largohet nga Milano për një shifër prej 35-40 milionë eurosh.

Në këtë mënyrë te Interi do të mund të rregullonin bilancet, pa qenë nevoja të sakrifikojnë emra si Lautaro apo Bastoni, që shihen si e tashmja dhe e ardhmja e klubit zikaltër./ Super Sport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA