Anëtarët e Komisionit për sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit thanë të hënën se ish-Presidenti Donald Trump vazhdoi të përhapte pretendime të rreme për manipulim të zgjedhjeve të vitit 2020, pavarësisht paralajmërimeve nga këshilltarët e tij më të afërt.
Anëtarët e Komisionit për hetimin e sulmit ndaj Kapitolit rifilluan këtë javë seancat, duke argumentuar se ish-Presidenti Donald Trump u përpoq të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020…
“Ai tradhtoi besimin e popullit amerikan. Injoroi vullnetin e votuesve. Gënjeu mbështetësit e tij dhe vendin. Dhe u përpoq të qëndronte në detyrë pasi populli kishte votuar për largimin e tij dhe gjykatat mbështetën vullnetin e popullit”, tha kryetari i komisionit, ligjvënësi demokrat Bennie Thompson.
Hetuesit thanë se natën e zgjedhjeve 2020, presidenti këmbënguli të shpallte fitoren…
“Ky është një mashtrim ndaj popullit amerikan. Ne po përgatiteshim t’i fitonim këto zgjedhje – në fakt ne i fituam zgjedhjet”, tha ish-presidenti Trump.
Pavarësisht paralajmërimeve nga këshilltarët e tij kryesorë të fushatës…
“Ishte shumë herët për të deklaruar rezultatin. Fletët e votimit ende po numëroheshin. Fletët e votimit do të vazhdonin të numëroheshin për ditë të tëra. Dhe ishte shumë herët për të bërë deklarata të tilla”, tha Bill Stepien, ish-menaxher i fushatës së presidentit Trump.
Vetëm një avokat i fushatës, ish-kryebashkiakut të qytetit të Nju Jorkut, Rudy Giuliani, i cili, sipas dëshmitarëve, ishte i dehur atë natë, mendonte ndryshe.
“Kryebashkiaku Giuliani po thoshte, ‘Ne i fituam zgjedhjet. Ata po na i vjedhin. Nga erdhën gjithë ato vota? Ne duhet të dalim e të themi se fituam.’ Dhe në thelb ai po thoshte se kushdo që nuk ishte dakord me këtë qëndrim, ishte i dobët”, tha Jason Miller, ish-këshilltar i lartë i fushatës së presidentit Trump.
Ish-Prokurori i Përgjithshëm Bill Barr, zyrtari më i lartë i zbatimit të ligjit në vend në kohën e zgjedhjeve të vitit 2020, dëshmoi se presidenti kishte vazhduar të këmbëngulte me pretendime të rreme për mashtrim në javët pas natës së zgjedhjeve, edhe pasi ishte e qartë se ai kishte humbur.
“Isha disi i demoralizuar sepse mendova, ‘nëse ai i beson vërtet këto, ai ka është shkëputur nga realiteti. Kur i thashë se sa të çmendura ishin disa nga këto akuza, pashë se nuk kishte asnjë interes për faktet reale”.
Zyrtarët zgjedhorë nga tre shtete kryesore dhe një avokat zgjedhor nga Partia Republikane thanë gjithashtu se përpjekjet e mëpasshme të fushatës së ish-presidentit për të provuar mashtrimin në gjykatë, ishin të pabaza.
“Fakti është se fushata e Trumpit nuk e bëri këtë”, tha avokati i Partisë Republikane Ben Ginsberg.
Ligjvënësit e komisionit thanë se fushata e ish-presidentit Trump përfitoi nga përhapja e këtyre pretendimeve të rreme, duke mbledhur miliona dollarë që shkuan për organizatat pro tij.
“Ne gjetëm prova se fushata e ish-presidentit Trump dhe bashkëpunëtorët e tij mashtruan donatorët se ku do të shkonin fondet e tyre dhe për çfarë do të përdoreshin. Pra, jo vetëm që ishte ‘gënjeshtër e madhe’, ishte ‘shkatërrim i madh’. Donatorët meritojnë të dinë se ku po shkojnë realisht fondet e tyre”, tha ligjvënësja demokrate Zoe Lofgren.
Pothuajse të gjithë republikanët e Kongresit e kanë quajtur të paligjshme punën e komisionit të 6 janarit dhe kanë vazhduar të mbështesin ish-presidentin. Seancat dëgjimore do të rifillojnë të mërkurën dhe të enjten këtë javë me një vështrim më të gjerë mbi përpjekjet e zotit Trump për të përdorur Departamentin e Drejtësisë për të pretenduar në mënyrë të rreme se ai fitoi zgjedhjet./VOA
Top Channel