Tirana e pafat, mëson 5 kundërshtarët e shortit të Champions/ Mision i vështirë edhe për Ballkanin

13/06/2022 15:42

Ditën e martë, kampionët e Abissnet Superiore, Tirana, mësojnë kundërshtarin në raundin e parë kualifikues të Champions League.

Një ditë para shortit, kundërshtarët e mundshëm të bardhebluve janë reduktuar në pesë të tillë, teksa kryeqytetasit duke qenë të shortuar në vazon e skuadrave jo favorite do të përballen me klube të një shkalle vështirësie të lartë.

Kështu, Ferencvaros, ish-skuadra e Uzunit, Ludogorets, Cluj, Maribor dhe Dudelange janë skuadrat e mundshme me të cilat Tirana duhet të luftojë në aventurën e saj europiane.

Të gjitha skuadra me eksperiencë në Europë, teksa të besuarit e trajnerit Orges Shehi do t’iu duhet të kryqëzojnë gishtat për një përballje me Dudelange, ekipin nga Luksemburgu.

Nga ana tjetër, edhe Ballkani kampion në Kosovë ka mësuar kundërshtarët e mundshëm në shortin e së martës. Ekipi i drejtuar nga trajneri Ilir Daja mund të përballet me një prej Malmo, Bodo/Glimt, Helsinki, New Saints dhe Zalgiris./ SuperSport

Top Channel