Islanda dhe Izraeli përsëritin rezultatin 2-2, çfarë dhurate për Shqipërinë!

13/06/2022 22:57

Islanda dhe Izraeli i bëjnë një tjetër “dhuratë” të çmuar Shqipërisë në ndeshjet e Nations League. Edhe në përballjen e dytë mes tyre në Grupin 2 të Ligës B, gjithçka u mbyll në barazim 2-2.

Një rezultat që u leverdis kuqezinjve, që e kanë vetë në dorë përfundimin e edicionit të tretë të Nations League në vendin e parë. Nëse i fiton të dyja ndeshjet, me Izraelin në transfertë dhe Islandën në vendin tonë, Shqipëria e ka të sigurt vendin e parë, pasi do të ngjitej në kuotën e 7 pikëve (Izraeli dhe Islanda kanë vetëm një ndeshje secili për të zhvilluar, pikërisht ndaj kuqezinjve).

Shqipëria, në fakt, mund të kualifikohet edhe nëse merr katër pikë në sfidat e mbetura. Në këtë rast, fitorja duhet të vijë ndaj Izrarelit (24 shtator), me diferencë më shumë se një gol, pasi (Shqipëria do të avantazhohej nga sfidat e drejtpërdrejta), ndërsa me Islandën (27 shtator) do të mjaftonte një pikë.

Një gjë është e sigurt: për t’u ngjitur në Ligën A, Shqipëria duhet patjetër të triumfojë në Izrael.

Top Channel