Çfarë ndodhi gjatë mbrëmjes së djeshme?! Policia ndërpret performancën e Mozzik në Tiranë, reagimi i këngëtarit

11/06/2022 16:42

Këngëtari Mozzik, një nga reperët më të preferuar për shqiptarët është përballur me një incident të pakëndshëm një natë më parë.

Mbrëmjen e djeshme ai do të performonte në Tiranë, por policia ka ndërprerë performancën e tij.

Arsyeja e këtij ndalimi të papritur të policisë, kur kufizimet për muzikën e clubeve gjatë natës për shkak të covid janë hequr nuk dihet.

Për këtë ngjarje artisti  ka reaguar në profilin e tij të Instagramit duke u shprehur se është hera e parë që i ka ndodhur diçka e tillë. Më tej ai u kërkoi ndjesë të gjithë fansave të tij, që mezi prisnin që Mozzik të performonte në skenë.

“Iu kërkoj falje të gjithë qytetarëve të Tiranës. Sonte unë erdha në klub që të përfundoj performancën time në Folie Terace, në ora 1:00 kishte forca të Policisë brenda që e ndalen muzikën. Nuk e di këto vendime e këto kufizime gjëra kush i bën por janë gabim. Ndërkohë që gjithë kufizimet janë larguar, qenka ende muzika problem. Gjithsesi e imja ishte të ju kërkoj falje se sonte kishim qëllim të kënaqemi po ja që e ndalën muzikën e na prishën komplet natën. Shihemi shumë shpejt! Tiranë ju dua”, shkruan Mozzik në profilin e tij.

Gjithsesi ai ka lajmëruar se do të jetë sërish në Tiranë me të tjera performanca.

Ky është një nga rastet e shëmtuara në vendin tonë, ku tregohet se rregullat dhe ligjet nuk janë njësoj për të gjithë.

Ka persona që janë të paprekshëm kur bëhen pjesë e shkeljeve, ndërsa të tjerë pengohen kur thjesht po bëjnë punën e tyre, në këtë rast duke u dhuruar publikut shqiptar pak art.

Sipas Aktit Normativ,  për krijimin e Taks Forcës për marrjen e masave të menjëhershme ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara në qendrat urbane dhe zonat turistike bregdetare, në Nenin 3 pika 3 shkruhet: Për mjediset e mbyllura , veprimtaria lejohet duke respektuar nivelin e lejuar të zhurmës, e përcaktuar në udhëzimet e përmendura në pikën 2 të këtij neni.

Në pikën 2 shkruhet se: Për mjediset e hapura orari i lejimit të veprimtarive për ditët e premte dhe të shtunë të jetë nga ora 19:00 deri në orën 24:00, ndërsa për ditët e tjera të javës të jetë nga ora 19:00 deri në orën 23:30, sipas  normave të lejuara të zhurmës.

Top Channel