Alarm në Hollywood, të dhënat private të Angelina Jolie, Robert De Niro dhe yjeve të tjerë dyshohet se u ekspozuan

26/07/2026 22:55

Një rrjedhje e dyshuar e të dhënave ka ngritur shqetësime serioze në Hollywood, pasi eksperti i sigurisë kibernetike Jeremiah Fowler pretendon se informacionet personale të disa prej emrave më të njohur të industrisë së filmit kanë qenë të aksesueshme publikisht në internet.

Sipas Fowler, në mesin e të dhënave të ekspozuara ndodheshin numra telefoni, adresa private të postës elektronike dhe informacione të tjera kontakti të personazheve të famshëm, duke i ekspozuar ata ndaj rreziqeve të mundshme të mashtrimeve kibernetike apo sulmeve me programe keqdashëse.

Eksperti tha se zbuloi gjithsej 666.369 regjistrime që lidhen me Festivalin e Filmit Tribeca në Nju Jork, ngjarje e themeluar në vitin 2002 nga aktori legjendar Robert De Niro.

Mes personave, të dhënat e të cilëve ai pretendon se ka parë, janë Angelina Jolie dhe vetë Robert De Niro, ndërsa lista përfshin edhe emra të tjerë të njohur si regjisori britanik Danny Boyle, aktorët Neil Patrick Harris, Michael Douglas, Rami Malek, Sharon Stone, si edhe regjisorët George Lucas dhe Martin Scorsese.

Fowler, studiues në kompaninë amerikane të sigurisë kibernetike Black Hills Information Security, e cilësoi këtë zbulim si rastin më të madh që ka hasur gjatë karrierës së tij.

“Është, pa diskutim, koleksioni më i madh i të dhënave të personazheve të famshëm që kam parë ndonjëherë. Në regjistrime kishte shumë emra të njohur, numra telefoni dhe adresa emaili që mund të përdoreshin për sulme me programe keqdashëse”, deklaroi ai për The Sun on Sunday.

Si ndodhi rrjedhja?

Sipas ekspertit, rrjedhja duket të ketë ardhur si pasojë e një gabimi njerëzor.

Ai tha se identifikoi tre databaza të lidhura me Festivalin Tribeca, ku shumica e materialeve përmbanin njoftime për media dhe materiale marketingu të ruajtura në një platformë cloud për periudhën 2019–2026.

Megjithatë, në njërën prej databazave u gjet një kopje rezervë (backup) që përmbante një dosje të quajtur “contacts”, ku ruheshin të dhëna personale të individëve.

Fowler deklaroi se kontaktoi organizatorët e festivalit disa ditë përpara nisjes së edicionit të këtij viti dhe, pas njoftimit të tij, databaza u hoq nga qasja publike.

Eksperti kujtoi se edhe më herët gjatë këtij viti kishte zbuluar një tjetër ekspozim të të dhënave, që sipas tij lidhej me përdorimin e një programi përgjues (stalkerware) kundër një personazhi të njohur.

Në atë rast, databaza përmbante 86.859 imazhe, të cilat dukeshin si pamje ekrani të marra nga pajisja e viktimës.

Sipas Fowler, materiali përfshinte komunikime me partnerë biznesi, modele, influencerë dhe figura publike, si edhe biseda e fotografi private që nuk ishin menduar kurrë të bëheshin publike.

Deri më tani, Festivali i Filmit Tribeca nuk ka dhënë një reagim zyrtar lidhur me pretendimet për këtë rrjedhje të të dhënave./TAR

Top Channel