“Jam krenare që jam emigrante”, Rita Ora rrëfen sakrificat e familjes dhe zbulon ëndrrën që ende nuk i është realizuar Humori, muzika dhe energjia pozitive pushtuan mbrëmjen e së shtunës qendrën e Fierit, aty ku trupa e njohur e “Portokallisë” solli spektaklin veror “Verë dhe Portokalle”, një nga eventet më të dashura të sezonit.
Prej më shumë se dy dekadash, “Portokallia” ka qenë pjesë e pandarë e ekranit shqiptar, duke u kthyer në një fenomen të humorit dhe në një prej trupave artistike më të dashura për publikun. Me personazhe që kanë lënë gjurmë ndër vite dhe me aktorë që kanë fituar zemrat e shikuesve, edhe këtë verë ata po udhëtojnë në qytete të ndryshme të vendit për ta sjellë humorin sa më pranë publikut.
“Janë numra totalisht të rinj, enkas për këtë turne. Fieri është një nga ata qytete që na ka mirëpritur gjithmonë dhe sot e ka treguar, sepse është një shesh i tejmbushur”, shprehet moderatori dhe aktori Salsano Rrapi.
Për aktorët, ky turne veror është një mënyrë për të falënderuar publikun që i ka mbështetur ndër vite, duke e çuar humorin në çdo cep të Shqipërisë dhe duke krijuar një atmosferë festive në qytetet ku ndalen.
Turneu “Verë dhe Portokalle” nisi nga Librazhdi, ndalesën e radhës e pati në Fier dhe do të vijojë në Vlorë, ku trupa do të sjellë sërish humor, argëtim dhe emocione për pushuesit dhe banorët gjatë sezonit turistik.
Një mbrëmje që konfirmoi edhe një herë se “Portokallia” mbetet një nga trupat artistike më të dashura dhe më të ndjekura nga publiku shqiptar, duke bashkuar breza të tërë përmes humorit dhe duke e kthyer çdo shfaqje në një festë të vërtetë.
Top Channel