Nicole Kidman fotografohet në Itali me biznesmenin Michael Reinstein, shtohen zërat për një lidhje të re
Rita Ora ka ndarë detaje personale për jetën e saj, duke folur me krenari për origjinën dhe rrugëtimin e familjes drejt Mbretërisë së Bashkuar. Këngëtarja me origjinë shqiptare u shpreh se historia e emigrimit ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e karakterit dhe karrierës së saj.
Artistja, e cila po punon për albumin e saj të katërt dhe është rikthyer në rolin e Mbretëreshës së Zemrave në filmin “Descendants”, tha se fëmijëria e saj ndryshon tërësisht nga jeta që bën sot si një nga emrat më të njohur të muzikës pop.
E lindur në Prishtinë, Rita u largua nga Kosova së bashku me familjen në fillim të viteve ’90, kur shqiptarët etnikë përballeshin me përndjekje. Siç raporton Daily Mail, prindërit e saj nisën gjithçka nga e para pas vendosjes në Britani.
Nëna e saj, Vera, punonte si mjeke, ndërsa babai, Besniku, ishte ekonomist. Pas emigrimit, ata mësuan gjuhën angleze dhe rindërtuan jetën profesionale. Babai u angazhua në menaxhimin e një pub-i në Londër, ndërsa Vera u rikualifikua dhe vazhdoi karrierën si psikiatre.
Në një intervistë për The Times, Rita tha se nuk është ndier kurrë e pasigurt për faktin që është emigrante, pavarësisht debatit të vazhdueshëm mbi emigracionin në Britaninë e Madhe.
“Do të jem gjithmonë mirënjohëse për mundësitë që kam pasur dhe krenare që jam emigrante”, u shpreh këngëtarja.
Sipas saj, shumë emigrantë ndajnë të njëjtin motivim për të provuar veten dhe për të ecur përpara.
“Mendoj se emigrantët kanë një energji të veçantë dhe një dëshirë të fortë për të treguar vlerat e tyre. Në historinë e shumë artistëve të suksesshëm gjen gjithmonë një rrëfim emigrimi në familje”, deklaroi ajo.
Rita foli edhe për jetën private, duke zbuluar se shpreson të bashkëpunojë në të ardhmen me bashkëshortin e saj, regjisorin Taika Waititi.
“Do të doja shumë. Më habit fakti që ende nuk ka ndodhur. Gjithçka varet nga historia dhe skenari, por është një dëshirë që e kemi të dy”, tha artistja.
Çifti, i martuar prej afro katër vitesh, do të festojë përvjetorin e martesës në muajin gusht. Megjithatë, Rita pranoi me humor se as ajo dhe as Taika nuk janë të dhënë pas planifikimeve.
“Ne i lëmë gjithçka për momentin e fundit. Ai është Luan dhe unë Shigjetare, ndaj planifikimi nuk është pika jonë më e fortë”, u shpreh ajo.
Gjatë intervistës, këngëtarja preku edhe çështjen e shëndetit, duke treguar se po informohet dhe po përgatitet për ndryshimet që sjell menopauza. Ajo zbuloi se ka ngrirë vezët dy herë, në moshën 24 dhe 27 vjeç, pas këshillës së mjekëve.
“Në atë periudhë mjeku më tha se ishte koha ideale për ta bërë. Sot e kuptoj se ishte një nga vendimet më të mira që kam marrë ndonjëherë”, rrëfeu Rita.
Artistja shtoi se përvoja e nënës së saj me kancerin e gjirit dhe menopauzën e hershme e ka bërë më të ndërgjegjshme për rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit dhe planifikimit afatgjatë./TAR
Top Channel