Lektori i ekonomisë që punonte në një universitet me gruan italiane, akuzohet për vrasjen e saj në shtëpinë e tyre në Britani (fotot)

08/06/2022 15:23

Një pedagog ekonomie që punonte në të njëjtin kampus universitar me gruan e tij, është akuzuar sot për vrasjen e saj me thikë në shtëpinë e tyre në lindje të Britanisë.

52 vjeçarja e lindur në Itali, Dr Antonella Castelvedere, u gjet me plagë të rënda në shtëpinë 260,000 paundëshe të çiftit në qytezën e Colchester, mesditën e të mërkurës.

Dr Castelvedere jepte leksione në gjuhën angleze dhe shkrim akademik në universitetin e Suffolk, ku jepte mësim gjithashtu dhe bashkëshorti i saj.

Ertan Ersoy, 50 vjeçar me origjinë nga Turqia, u shfaq sot në gjykatën e Colchester i akuzuar për vrasje.

Ai ishte një lektor i jashtëm që jepte mësim si pedagog i ftuar në shkollën e biznesit të  Universitetit të Suffolk.

Dr Ersoy ishte diplomuar në shkenca politike në universitetin e Ankarasë, sipas profilit të tij online.

Ai kishte gjithashtu një master në ekonomi nga Universiteti i Marmara në Turqi.

Kryeinspektori i policisë Antony Alcock tha: “Megjithse kemi ngritur tashmë akuzat, grupet tona po vijojnë punën për mbledhjen e provave. Duket se ku ishte një incident tragjik i izoluar që nuk sjell rrezik për publikun e gjerë në Colchester.”

Dashamirës kishin lënë homazhe dhe lule jashtë shtëpisë, ku sot qëndronin ende oficerë policie.

Një fqinje në anën tjetër të rrugës, tha për mediat: “Është e tmerrshme, gruaja kishte dhe një vajzë të sajën. Dje kishte njerëz duke qarë jashtë shtëpisë, duhet të kenë qenë familjarët e saj. Nuk njiheshim shumë, vetëm përshëndeteshim. E ndjera ishte miqësore por nuk e shihnim shpesh”.

Dr Castelvedere ishte nga provinca e Brescia në veri të Italisë dhe jetonte në Britani prej 25 vitesh.

Fqinjët e përshkruanin atë  “të qetë” dhe mjaft të pëlqyer.

Babai i Dr Castelvedere, Spartaco, ka qenë drejtor i agrokulturizmit në Brescia ndërsa nëna e saj Mina dhe vëllai Ferruccio jetojnë ene në qytezën e Bagnolo Mella. Ata nuk kanë komentuar ende për ngjarjen.

Policia bënte apel për informacione mbi çiftin që mund të çojnë në motivet e ngjarjes së rëndë.

FOTO GALERI
4/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA