Donnarumma mban shiritin e kapitenit në kombëtare: Për Italinë luaj edhe pa një gisht

08/06/2022 09:23

Italia mori një fitore morali në mbrëmjen e së martës teksa për llogari të Ligës A në Grupin 3 së Nations League, axurrët mposhtën me rezzultatin 2-1, Hungarinë. Një mbrëmje speciale ishte edhe për Gigio Donnarummën, me portierin e PSG që për herë të parë në kombëtare veshi fanellën me numër 1 ndërsa mbajti edhe shiritin e kapitenit.

“Është një emocion i jashtëzakonshëm të veshësh fanellën me numrin 1 dhe të mbash shiritin e kapitenit në kombëtare. Dua të falenderoj stafin mjekësor që ia doli të më rikuperonte në kohë sepse para dy ditësh ishte e pamendueshme që unë të luaja. Por, me dëshirë dhe me ndihmën e stafit ia dola të isha në fushë, do të luaj gjithnjë përsa kohë të jetë e mundur.

Për këtë fanellë mund të luaj edhe pa një gisht. Ky grup ka një dëshirë për të rifilluar rrugën e sukseseve dhe po ndjehemi sërish mirë. Fitorja ishte e rëndësishme dhe erdhi edhe si pasojë e djemve të rinj që po na japin një dorë. Do të ecim të bashkuar dhe me dëshirë”, u shpreh Donnarumma.

Pas triumfit me Hungarinë, Italia mori kryesimin e grupit në Nations League me katër pikë të grumbulluara në dy ndeshje teksa lë pas pikërisht hungarezët, Gjermaninë dhe Anglinë. Sfida e radhës së të kaltërve është ndaj britanikëve më datë 11 qershor./ SuperSport

Top Channel