Bale flet për karrierën post-Real: Kam një lumë ofertash…

05/06/2022 13:20

Gareth Bale, i cili pas 30 qershorit do të jetë lojtar i lirë, i ka dhënë lamtumirën Real Madridit këtë javë me një letër emocionuese. Ka spekulime që përvoja me “Los Blancos” do të jetë e fundit e karrierës së uellsianit.

Megjithatë, Bale, 32 vjeç, nuk e ka bërë të qartë me fjalët e tij se çdo të ndodhë në të ardhmen e afërt dhe këmbëngul se vendimi i tij nuk do të varet nga kualifikimi i mundshëm i Uellsit në Kupën e Botës “Katar 2022”.

“Nuk jam i përqendruar në atë që më pret në të ardhmen. Kemi një ndeshje shumë të rëndësishme. Nuk kam nevojë të mendoj apo të shqetësohem për ndonjë gjë tjetër”, siguroi Bale para ndeshjes së play-off-it kundër Ukrainës, ku do të përcaktohet bileta e fundit për në Katar.

Përveç kësaj, Bale këmbëngul se nuk do të ketë asnjë problem për të gjetur një skuadër të re. I pyetur nëse ka ndonjë ofertë në tavolinë, uellsiani siguroi me buzëqeshje: “Kam shumë!”

Nga ana tjetër, Bale shprehu keqardhjen për atë që po ndodh në Ukrainë. “Thjesht të shohësh fotot dhe të lexosh se çfarë po ndodh të thyen zemrën”,  tha uellsiani./ SuperSport

Top Channel