Më datë gjashtë qershor, Shqipëria do të nisë rrugëtimin në Ligën B, Grupi 2 në Nations League. Kuqezinjtë të cilët e nisin këtë edicion me objektiva madhorë, luajnë në transfertë ndaj Islandës. Një kundërshtar jo i panjohur për kombëtaren e drejtuar nga trajneri Edy Reja ndërsa së fundmi është mësuar edhe arbitri që do të ndajë drejtësi në sfidën e Reykjavikut.

UEFA i ka besuar britanikut Craig Pawson, i cili e ka nisur karrierën në vitin 1993 duke arbitruar në ligat inferiore në Angli, ndërsa është graduar dalëngadalë derisa në vitin 2015 mori stemën e FIFA-s nëprmjet së cilës mund të arbitronte ndeshjet ndërkombëtare, por edhe ato të Champions League e Europa League.

Megjithatë, ndeshjet e rëndësishme të cilat i janë besuar numërohen me “gishta”, ndërsa në shumë prej tyre ka qenë gjyqtar i katërt, teksa gjatë këtij sezoni në Premier League numëron 26 ndeshje të gjykuara duke regjistruar një mesatare prej 4.18 kartonë të verdhë për ndeshje dhe me një mesatare 0.08 të kuq për ndeshje.

Nga ana tjetër, 43-vjeçari mbahet mend për një ndeshje të Play-Off në Championship të vitit 2019 mes Derby dhe Leeds United. Pawson akordon 11-metërsh për Derby, por pas disa minutash kontraktidore vendos ta anulojë penalltinë si pasojë e një konsultimi me anësorin. Në fund, Leeeds fitoi 0-1 dhe nuk munguan polemikat.

Sfida e fundit që Pawson ka arbitruar ka qenë ajo e datës 22 maj në Premier League mes Burnley dhe Newcastle, sfidë të cilën akordoi edhe një penallti për këta të fundit.

Top Channel