“Janë Kampionët e Europës, e turpshme që nuk i garantohet pjesëmarrja në Botëror”, shpërthen legjenda Roberto Baggio

04/06/2022 10:06

Një vit më parë, kombëtarja italiane ishte në “qiellin e shtatë” pasi sapo ishte shpallur Kampione e Europës teksa triumfoi në finale ndaj Anglisë.

Mirëpo, përgjatë një viti shumë gjëra mund të ndryshojnë dhe Italia humbi shkëlqimin pas verës së vitit 2021 e për të dytën herë me radhë do të mungojnë në finalet e një Botërori, teksa Maqedonia e Veriut i mposhti në Play-Off. Tashmë, kombëtarja është përfshirë nga “hijet e dyshimit” mbi rinovimin e brezave dhe trajnerit Roberto Mancini i takon të udhëheqë axurrët në një tjetër tranzicion.

Megjithatë, pavarësisht fajeve të saja, legjenda italiane, Roberto Baggio thekson se të kaltërve duhej t’i ishte garantuar një vend në Botërorin e Katarit si fituese e Europianit. Ish-sulmuesi i famshëm thekson se një formulë e tillë që lë jashtë Botërori fituesen e Europianit është e turpshme.

“Italia fitoi kampionatin Europian, mendoj se është e turpshme dhe çmenduri që nuk kanë një vend të garantuar për në Botëror. Në një ditë të keqe, gjithkush mund ta humbasë një takim të vetëm edhe ndaj një kundërshtari inferior, por ata djem duhej t’i ishin shpërblyer për atë çka arritën. Nëse unë do të isha pjesë e skuadrës, do të “ngreja zërin” kundër një formule të tillë”, u shpreh Baggio.

Top Channel