Kombëtarja shqiptare po bëhet gati për dy sfidat e Nations League, ndaj Islandës që do të zhvillohet më 6 qershor në transfertë.

Në prag të kësaj sfide, për disa ditë kanë dalë në konferenca për media disa prej lojtarëve të Kombëtares shqiptare, teksa ditën e sotme ka qenë radha e Elseid Hysaj dhe Klaus Gjasulës, të cilët kanë folur në lidhje me kundërshtarët e grupit B2.

“Ne e kemi për detyrë të jemi gjithmonë gati kur na thërrasin në Kombëtare. Kam ardhur me shumë qejf. Me të vërtetë jemi në fund të sezonit, por kemi një mundësi shumë të mirë për të ecur përpara me Kombëtaren dhe duhet të tregojmë që po vazhdojmë të përmirësohemi ccdo ditë dhe më shumë. Unë jam 100% gati, ashtu sikurse edhe çunat.Po, u bënë disa kohë që nuk luajmë kundër, por siç kemi bërë në ndeshjen e fundit ndaj Islandës, kemi treguar që dimë të luajmë më mirë, dimë të jemi më të rrezikshëm. Dje pamë ndeshjen Izrael-Islandë dhe pamë një skuadër që po rrinte mbrapa dhe po luante në kundërsulm. Tani po përgatitemi për këtë ndeshje”, thotë Elseid Hysaj.

Klaus Gjasula, mesfushori i ekipit kombëtar shprehet optimist për atë që do të tregojë skuadra në këto dy ndeshje. Gjasula analizoi edhe skuadrën e ishullorëve, ndërsa theksoi se Shqipëria nuk duhet të bëjë gabime dhe t’i marrë maksimumin ndeshjes së parë.

Sink Klasu Gjasula / futbollist i kombetares

“Nuk do thosha që Islanda dhe Izraeli janë në nivel më poshtë se ne. Jemi afër me ato Kombëtare. E dimë që në të kaluarën ka qenë pak e vështirë për ne për Kombëtaret më të vogla, por prapë ne jemi rritur si skuadër dhe kemi treguar paraqitje të mira. Jam optimist dhe besoj që do bëjmë paraqitje të mira. Varet se si do të ecin ndeshjet. Por edhe me 4 pikë do të ishim në rregull për këtë grup. Për mua ta nisim me këmbë të mbarë. Në ndeshjen ndaj Islandës duhet të marrim 1 pikë se s’bën dhe do të provojmë të marrim 3”.

Skuadra jonë përfaqësuese do të niset ditën e shtunë drejt Islandës ku do të zhvillojnë ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve ditën e hënë 6 qershor, ndërkohë që me 10 qershor do të luhet ndeshja dytë përballë Izraelit në stadiumin “Air Albania” të kryeqytetit.

Top Channel