Festë shqiptare në Stamboll, klubi i njohur rikthehet në Superligën turke

02/06/2022 23:04

Festë shqiptare në Stamboll, pasi skuadra e Istanbulspor, ku luajnë plor 4 futbollistë shqiptarë, ia doli të rikthehet në elitën e futbollit turk.

Pasi mbylli sezonin e rregullt në zonën Play Off, Istanbulspori ia doli të triumfojë nëpërmjet fazës Play Off, teksa mbrëmjen e sotme mposhti 2-1 Bandirmasporin në finale.

Tre nga shqiptarët, Rroca, Topalli e Et’hemi ishin titullarë në këtë takim, teksa ky i fundit shërbeu edhe asistin në rastin e golit të parë, ndërsa Abazaj ndoqi të gjithë sfidën nga pankina dhe iu bashkua festës së skuadrës në fund.

Kjo është një arritje mjaft e madhe për Istanbulsporin, që i mungonte elitës së futbollit turk që prej 2004-ës, kur zbriti një kategori më poshtë për shkak të problemeve të mëdha financiare dhe që atëherë nuk ia kishte dalë të ngjitej në Superligë, ndonëse kishte shkuar tre herë në fazën Play Off.

Bashkë me Istanbulsporin, shtohet edhe kolonia shqiptare në elitën e futbollit turk, teksa përveç treshes së Konyasporit, Cikalleshi-Çekiçi-Bytyçi, tashmë do të kemi minimalisht edhe tre të tjerë te klubi nga Stambolli./Supersport

Top Channel