Berisha përlotet në fjalimin e lamtumirës për Nishanin: Mbetesh burim frymëzimi në kujtesën tonë

02/06/2022 13:29

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbajtur një fjalim lamtumire disa minuta para varrosjes së ish-Presidentit Bujar Nishani.

I përlotur, Berisha u shpreh se Nishani do të mbetet i gjallë mes nesh me anë të veprave dhe fisikërinë që ka lënë pas. Ai tha se Nishani do të mbetet frymëzim për shumë persona.

Të dashur baba Faik, Odeta, Ersi, Fjona dhe familjarë të tjerë të të ndjerit president Bujar Nishani,

të nderuar zoti Meta, President i Republikës së Shqipërisë, zonja Osmani, presidente e Republikës së Kosovës, deputetë, dijetarë, përfaqësues të shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, diaspora!

Miq dhe qytetarë të pranishëm në këtë lamtumirë të fundit!

I dashur Bujar,

sot fëmijët, Ersi, Fjona, shoqja jote e jetës, Odeta, baba Faiku, vëllezërit, familjarët, të afërmit, miqtë e tu, dijetarët më të lartë shqiptarë, qytetarë të këtij vendi, jemi këtu rreth teje të të përcjellim me dhimbje të madhe në udhëtimin tënd të përjetshëm të parakohshëm që ti nise pasi ke ngjitur si rrallëkush shkallët e jetës dhe ato më të larta të detyrës.

Por në fakt, ti megjithëse largohesh nga ne përgjithmonë, përsëri për sa kohë që ne do të jetojmë do të mbetesh i gjallë midis nesh me veprat, fisnikërinë, dhuntitë e larta morale, përkushtimin e pakufishëm, shërbimet mëdha dhe të çmuara ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugëtimin e tyre për liri.

Vlerat morale, virtytet, veprat, mirësitë e njeriut janë edhe pavdekësia e tij tokësore.

Kështu që, me ne mbetet dhe do jetojë gjithmonë Bujar Nishani, njeriu i ndershëm, qytetari i përgjegjshëm dhe atdhetar, prindi dhe bashkëshorti i dashur e shembullor, shërbëtor i përkushtuar i qytetarëve të këtij vendi, demokrat i flakët dhe guximtar, drejtuese i talentuar i Partisë Demokratik, burrështetas fisnik, president i aftë dhe dinjitoz që i dha vendit e kombit në drejtim nder dhe dinjitet të veçantë.

Por përsëri, pas kësaj lamtumire, pas kësaj ndarje të dhimbshme dhe të papritur me ty, secili prej njësh ndjehet më i pakësuar, sepse me ndarjen e trishtë me ty ne kemi humbur një pjesë të çmuar, të dashur, të shpirtit dhe zemrës tonë.

Po, sot këtu para teje të gjithë ne jemi më të paktë në vete. Më të paktë nga largimi yt pa kthim, por ndjehemi pafundësisht mirënjohës ndaj teje dhe të bekuar e krenar që patëm midis nesh një njeri, një qytetar, një prind, bashkëshort, një mik, një demokrat, një shtetar, një president si ti.

Odeta ndjehet sot më e paktë, më e trishtë se kurrë në jetën e saj për bashkëshortin fisnik që u largua para kohe prej saj.

Por ngushëllimi i saj është dhe do të mbetet gjithmonë fati i bardhë që pati një shok jete të përsorus si ti!

Për Ersin, Fjonën sot është dita më e dhimbshme e jetës së tyre, por ata do jenë krenarë gjithmonë që patën fatin të kenë një baba si ti. Për Baba Faikun sot zija është më e rëndë se toka, por ai përsëri ndihet krenar se rriti një djalë si ti që i zbardhi faqen atij, familjes dhe mbarë kombit shqiptar.

Për të gjithë ne të tjerët që patëm mundësinë të të njohim e bashkëpunojmë, gëzojmë dhe meritojmë miqësinë tënde, por edhe për të gjithë shqiptarët që besojnë në vlerat e përjetshme të moralit të njeriut, do mbetesh një burim i pashtershëm frymëzimi dhe do të kesh përgjithmonë mirënjohjen e do të jetosh gjithnjë në kujtesën tonë.

Së fundi, unë dua të shpreh sot një mirënjohje të thellë për familjen tënde dhe të gjithë ata që bënë gjithçka që ti të mos niseshe në këtë rrugë.

U prehtë në paqe miku im i dashur!

Paqja dhe mëshira e zotit le të bien mbi ty!

I lehtë qoftë dheu i tokës sonë!

Lamtumirë!

“- tha Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA