Pasi Rusia sulmoi Ukrainën më 24 shkurt, ajo shpresonte ta pushtonte fqinjin e saj në një operacion të shpejtë që do të zgjaste disa ditë ose pak javë. Shumë analistë perëndimorë parashikonin të njëjtin skenar.
Tre muaj pas fillimt të konfliktit, Moska duket se është mbërthyer në një luftë pa fund në horizont dhe me pak sukses në fushëbetejë.
Forcat e fuqishme të presidentit rus Vladimir Putin nuk shënuan një fitore të shpejtë dhe nuk arritën të gjejnë një rrugë që do t’ia mundësonte Kremlinit të vinte nën kontroll pjesën më të madhe të Ukrainës dhe të krijonte një qeveri kukull në Kiev.
Në fakt, ndodhi e kundërta. Trupat ruse u bllokuan në periferi të Kievit dhe qyteteve tjera të mëdha, pas rezistencës së madhe të forcave ukrainase. Autokolona e ushtrisë ruse ngeci në rrugët e gjata. Trupave u mbaruan furnizimet dhe benzina, duke i vënë lehtësisht në shënjestër.
Pak më shumë se një muaj pas sulmit, Rusia pranoi se dështoi në sulmin e saj dhe tërhoqi trupat nga zonat afër Kievit. Moska deklaroi zhvendosjen e përqëndrimit të operacionit të saj në rajonin industrial lindor të Donbasit, ku separatistët e mbështetur nga Moska kanë luftuar kundër forcave ukrainase nga viti 2014.
Sigurisht, Rusia ka marrë kontrollin e një pjese të konsiderueshme të territorit rreth gadishullit të Krimesë, të cilin Moska e aneksoi tetë vite më parë. Ajo ka arritur gjithashtu shkëputjen e plotë të Ukrainës nga Deti Azov, duke siguruar më në fund kontrollin e plotë në portin kyç të Mariupolit. Rrethimi i qytetit pengoi disa nga trupat ruse të luftonin në zona të tjera, ndërsa ata u përballën me rezistencën e madhe të forcave ukrainse.
Por duket se edhe ofensiva në lindje ka ngecur , ndërsa Perëndimi vazhdon të furnizojë Ukrainën me armë duke forcuar ushtrinë e saj.
Artileria dhe avionët luftarakë rusë godasin pa mëshirë pozicionet ukrainase, në përpjekje për të thyer mbrojtjen e krijuar gjatë konfliktit separatist. Moska ka shënuar përparime të vogla, gjë që nxorri në dukje numrin e pamjaftueshëm të trupave ruse dhe rezistencën ukrainase.
Së fundmi, Rusia humbi qindra pjesëtarë dhe dhjetëra automjete ushtarake, ndërsa përpiqej të kalonte një lumë për të ndërtuar një urë.
“Rusët janë ende shumë pas objektivit ku ne besojmë se donin të ishin kur filluan këtë përpjekje të rigjallëruar në pjesën lindore të vendit”, tha të premten sekretari i shypit në Pentagon, John Kirby, ndërsa shtoi se qytetet e vogla dhe fshatrat në Donbas po ndryshonin çdo ditë forcën që i kontrollonte.
Në pjesët tjera të Ukrainës, forcat ruse kanë vënë në shënjestër dërgesat e armëve perëndimore, depot e municionit dhe karburantit dhe instrastrukturën jetike, me shpresën që ta dobësojnë ushtrinë dhe ekonominë e Kievit.
Por në përpjekje për të fituar terren, forcat ruse gjithashtu kanë bombarduar pa mëshirë dhe rrethuar disa qytete. Së fundmi, autoritetet ukrainase thanë se pas bombardimeve ruse, në një ndërtesë të shembur në Mariupol u gjetën 200 trupa.
Kremlini duket se vazhdon të ketë një qëllim ambicioz për ta shkëputur Ukrainën nga bregu i Detit të Zi deri në kufirin rumun, një lëvizje që do t’i jepte Moskës një korridor tokësor në rajonin separatist të Moldavisë, Transnistria, ku janë vendosur trupat ruse.
Por duket se Rusia e di që ky objektiv nuk mund të realizohet duke patur parasysh forcat e kufizuara që ka.
“Ata gjithnjë e më shumë po e kuptojnë se nuk mund t’i bëjnë domosdoshmërisht të gjitha, sigurisht jo menjëherë”, thotë Justin Crump, një ish-komandant britanik tankesh që drejton firmën për konsulencë strategjike “Sibylline”.
Humbjet e Moskës e kanë detyruar Kremlinin që të mbështetet gjithnjë e më shumë tek njësitë e formuara me ngut në Donbas, që mund të sjellin vetëm përfitime të vogla, thotë ai.
“Është një ulje e vazhdueshme drejt objektivave më të vogla që me të vërtetë mund t’i arrijë Rusia”, tha zoti Crump. “Në shkallën më të madhe, ata në fakt kanë zvogëluar strategjinë e tyre për të përshtatur më mirë aftësitë në terren”.
Mungesa e burimeve ruse u vu në pah javën e kaluar nga një tërheqje e papritur nga zonat pranë Kharkivit, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës që është bombarduar që nga fillimi i luftës.
Me sa duket, disa nga ato forca u ridislokuan në Donbas, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për të shfaqur epërsi në fushën e betejës.
“Atyre iu desh që të pakësonin trupat që kishin rreth Kharkiv-it, thjesht sepse po përpiqeshin të mbanin një vijë fronti më madhe me shumë më pak trupa”, thotë Phillips O’Brien, profesor i studimeve strategjike në Universitetin St. Andrews në Skoci. Luftimet në Donbas janë shndërruar gjithnjë e më shumë në duele artilerie dhe “mund të vazhdojnë për një kohë mjaft të gjatë pa shumë lëvizje në linjat e frontit”, tha ai.
“Kështu që kryesisht do të jetë një betejë pozicionale”, shtoi zoti O’Brien, dhe cilado palë që “mund t’i përballojë goditjet” do të jetë e suksesshme.
Ndërkohë, Ukraina vazhdon të ketë një furnizim të qëndrueshëm me armë perëndimore, përfshirë topin special amerikan të lëvizshëm që godet në distanca të largëta “howitzer” dhe dronë, si dhe tanke nga Polonia dhe pajisje të tjera të rënda që dërgohen menjëherë në fushën e betejës./voa
Top Channel