Polici qëllon kolegun me armë/ Shkoi në gjendje të rëndë në spital, ndërron jetë në sallën e operacionit

23/05/2022 21:44

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të hënë në Komisariatin nr. 3 në Tiranë, ku një punonjës policie ka vrarë me armë zjarri kolegun e tij, pas një konflikti të ndodhur në sallën e mbledhjeve.

Sipas gazetares, Dorjana Bezat, punonjësi Çaush Saliasi fillimisht është dërguar në spital në gjendje të rëndë dhe është futur në sallën e operacionit, ndërsa nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.

Autori Ludian Zaimi ndodhet në komisariat, ndërsa në vendngjarje janë dëgjuar gjashtë të shtëna.

Sipas informacioneve, të dy janë policë të patrullës së përgjithshme, ndërsa viktima ishte në prag pensioni. Autori ka një vit e gjysmë në polici, kurse viktima ushtronte detyrën prej mbi 20 vitesh.

Nga fotot e siguruara nga gazetarja Anila Hoxha, pas ngjarjes në Komisariatin nr.3, kreu i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka mbërritur atje.

Në ambientet e Komisariatit nr. 3 gjithashtu ka shkuar një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike.

“Më datë 23.05.2022, rreth orës 21:20, në rrugën “Mine Peza”, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në rrethana ende të paqarta, punonjësi i Policisë, shtetasi L.Z., ka plagosur me armë zjarri shtetasin Ç.S., të dy me detyrë oficerë të Patrullës së Përgjithshme. Si pasojë e plagëve të marra, punonjësi i Policisë Ç.S. ka ndërruar jetë në spital. Autori i dyshuar është ndaluar dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, sipas policisë.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel